Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga vazhdimi i seancës plenare

18.03.2015

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, drejtues i seancës së sotme plenare, vijoi punimet menjëherë me procesin e votimit të pikave të mbetura. Kuvendi me shumicë votash votoi raportin vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2017 dhe raportin vjetor të Akademisë së Drejtësisë për vitin 2017.

Gjithashtu u miratua edhe propozimi i grupeve parlamentare për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.

Lidhur me votimin e Propozim-rezolutës nga interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, RamushHaradinaj, në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës, fjalën e mori deputetja Albulena Haxhiu, e cila deklaroi se këto rekomandime nuk janë të harmonizuara me grupet e tjera parlamentare. Ajo lexoi rekomandimet dhe kërkoi kohë që të mblidhen grupet parlamentare për harmonizim.

Pas leximit të rekomandimeve, deputeti Elmi Reçica, në emër të grupit parlamentar të PDK-së kërkoi shtyrjen e votimit në fund të seancës, ndërsa deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, në emër të grupit parlamentar tregoi veprimet mjaft kontradiktore për këto rekomandime. Edhe kryetari i Grupit parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi theksoi se këto rekomandime i sheh si të pamundshme për tu harmonizuar.

Pas kësaj, drejtuesi i seancës, Haliti, e hodhi në votim, por deputetët nuk votuan. Nga 74 deputetë, votuan vetëm 34 ish. Ai kërkoi përsëritjen e votimit, por përsëri nuk u votua. Pas kësaj situate kontradiktore të krijuar, drejtuesi i seancës vijoi me votimin e Propozim-rezolutës nga interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me situatën dhe gjendjen financiare në ndërmarrjet publike të Telekomit dhe të Postës së Kosovës, e cila pësoi të njëjtin fat me pikën e mësipërme.

Lidhur me interpelanca e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së GP- LDK, në lidhje me vendimet e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo për shkarkimin e një drejtori dhe ndarjen e mjeteve grante dhe subvencione, Haliti theksoi se ka një kërkesë për ta shtytur këtë pikë për shkak të angazhimeve të kryeministrit dhe me ardhjen e tij të zhvillohet kjo pikë.

Kuvendi vijoi punimet me seancën e re, pikërisht me dy pikat e zakonshme, diskutimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

Pas ezaurimit të këtyre dy pikave, në orën 13.00, me ardhjen e kryeministrit në sallën e Kuvendit, drejtuesi i seancës ndërpreu vazhdimin e seancës së re dhe vijoi me pikën e fundit të mbetur. Arsyetimin lidhur me këtë interpelance, në emër të GP të LDK-së, e bëri deputeti Lutfi Zharku, i cili lexoi edhe rekomandimet e përgatitura.

Më pas fjalën e mori kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ndër të tjera theksoi se bujqësia është një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë së Kosovës, e cila ka nevojë për financime. Ai tha se edhe pse janë dhënë grante të ndryshme në këtë sektor, përsëri nuk është akoma shumë. Fermerët, sipas tij, nuk janë liruar nga detyrimet taksore, lidhur me karburantet.

Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, deputeti Elmi Reçica, midis të tjerave theksoi se bujqësia ka qenë në vëmendjen kryesore të PDK-së për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës dhe ka pasur programe të mirëfillta për zhvillimin e saj, duke financuar në sektorë të ndryshëm, të cilat kanë dhënë rezultate mjaft efiçiente. Ai tha se investimet në veri janë normale, ngase, sipas tij, ata janë qytetarë të Kosovës dhe duhen trajtuar njëlloj. Ai tha se është e ditur që qytetarët e kësaj zone janë nën presion nga Serbia dhe kanë nevojë për tu mirëkuptuar, ndaj investimet dhe grantet do të realizohen edhe në këtë pjesë të Kosovës.

Ndërsa deputeti Liburn Aliu, në fjalën e tij theksoi se që në fillim kanë qenë të bindur se me emërimin e Rikallos si ministër i Bujqësisë do të zhvillohen politikat e Serbisë. Ai tha se duhet të bëjmë përpjekje për integrimin e popullsisë serbe, por shtoi se Ministria e Bujqësisë po zhvillon politika të kundërta dhe po luan me investimet e buxhetit të Kosovës, duke e thelluar me tej ndarjen e qytetarëve serbë nga Kosova.
Deputeti Salih Salihu i PSD-së, ndër të tjera shtoi se ministri nga momenti i emërimit të tij, nuk ka ardhur asnjëherë në këtë Kuvend dhe politikat e Qeverisë së Kosovës nuk kanë objektiva të qarta për bujqësinë.

Pasi reshtën diskutimet, drejtuesi seancës, Haliti, për shkak të numrit të vogël të deputetëve të pranishëm mbylli punimet e seancës dhe me deklarimet e grupeve parlamentare, u vendos që seanca te vijojë punimet të martën, më 19 qershor, në orën 10:00.