Kuvendi i Republikës së Kosovës

Një delegacion i minatorëve të Trepçës vizitoi Kuvendin e Kosovës

18.03.2015

Në shenjë të 15- vjetorit të Grevës së Minatorëve të Trepçës, sot një delegacion i minatorëve të Stan Tërgut vizitoi Kuvendin e Kosovës, ku u pritën nga anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, prof.dr. Fatmir Sejdiu.Udhëheqja e këtij delegacioni me këtë rast prezentoi përpjekjet që kanë bërë punonjësit e këtushëm për të kryer disa punë kapitale që mundësuan shpëtimin e minierës nga përmbytja e ujërave.
Tani në këtë minerë punojnë 527 punëtorë, ndërsa brengos fakti se 787 të tjerë kanë shkuar në pension të parakohshëm me një pension shumë të ulët, që nuk mjafton për të siguruar as ekzistencën , kurse mbi 300 minatorë nën moshën 50 vjeçare kanë mbetur të pasistemuar në punë. Këto të dhëna tregojnë për pozitën e vështirë të minatorëve të këtij gjiganti ekonomik të Kosovës.
Minatorët apelonin te organi më i lartë ligjvënës dhe mbarë shoqëria kosovare që të gjendet një zgjidhje për minatorët që bënë aq shumë për Kosovën, ndërsa sot një pjesë e madhe e tyre vujanë për kafshatën e gojës.Megjithatë, ata edhe në këtë pozitë të vështirë, kërkonin që Kuvendi i Kosovës t™ u japë përparësi ligjeve bazike, duke u angazhuar për zgjidhje sistemore për të gjithë punonjësit dhe qytetarët e Kosovës .
Duke përkujtuar se greva e minatorëve të Trepçës është një ngjarje e madhe me një vlerë të pazëvendësueshme , prof. dr. Fatmir Sejdiu theksoi se ekziston një përputhje totale e mbarë subjekteve politike të Kosovës për zgjidhjen e problemeve të Trepçës me qëllim të rimëkëmbjes së saj, duke ditur rëndësinë e këtij kompleksi për zhvillimin e ardhshëm të Kosovës. Në këtë aspekt duhet të angazhohemi të gjithë, theksoi Sejdiu, jo vetëm në këtë kolektiv, por edhe më gjerë në shoqëri, sepse me punën tonë duhet të dëshmojmë se jemi të denjë për pavarësinë dhe shtetin tonë, derisa në këtë drejtim kemi edhe përkrahjen e faktorit ndërkombëtar.Për të arritur këtë duhet të kemi legjislacion të qëndrueshëm, duke intensifikuar në të njëjtën kohë edhe procesin e privatizimit.
Delegacioni i minatorëve të Trepçës me këtë rast vizitoi edhe sallën e renovuar të Kuvendit të Kosovës. Drejtori i administratës së Trepçës Riza Musliu, duke shprehur përshtypjet e tij impresionuese , tha se jemi të mahnitur me pamjen e re të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.