Seanca e sotme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, udhëhequr nga kryeparlamentari Glauk Konjufca, filloi me një minutë heshtje në nderim të figurës dhe veprës kombëtare të intelektualit dhe veprimtarit Ukshin Hoti, në 25 vjetorin e zhdukjes së tij nga aparati shtetëror i Serbisë.
Duke hyrë në agjendën e punës, deputetët e dakorduan që votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH, të shtyhet për një seancë tjetër, për plotësim dhe harmonizim.
Në procedurën e votimit për Projektligjin nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, dhe Projektligjin nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, Kuvendi nuk i kishte votat e mjaftueshme për miratim.
Kuvendi vazhdoi punimet me votimin dhe miratimin e Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm.
U miratuan gjithashtu edhe nëntë projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, si në vijim: Projektligji nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm, Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”, Projektligji nr.08/L-263 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës, Projektligji nr.08/L-271 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”, Projektligji nr.08/L-273 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFË, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik, 92 vota mirtohet, Projektligji nr.08/L-281 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare, për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, Projektligjit nr.08/L-270 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat, Projektligji nr.08/L-280 për ratifikimin e “amendamentimit nr.3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”, si dhe Projektligjit nr.08/L-292 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Drejtësia”.
Votimi i Projektligjit nr.08/L-293 për ratifikimin e “Marrëveshjes së bashkëfinancimit për hartimin e Projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren”, në mungesë së pranisë së ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, u shty për një seancë tjetër.
Mbledhja vazhdoi me hedhjen në votim në parim për Projektligjin nr.08/L-300 për provimin e maturës shtetërore, i cili me shumicë votash u miratua.
Më pas, u bë shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-242 për performancën energjetike të ndërtesave, të cilën e paraqiti dhe arsyetoi deputetja Fitore Pacolli-Dalipi, në emër të Komisionit për Mjedis, duke i rekomanduar Kuvendit miratimin e tij. Me shumicë votash edhe ky projektligj u miratua nga Kuvendi.
Projektligji nr.08/L-276 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve të veçanta për krijimin e bazës ligjore për nxjerrjen e akteve nënligjore nga qeveria dhe ministrit, u miratua gjithashtu në shqyrtim të parë nga deputetët, duke i hapur rrugë shqyrtimit të mëtejmë të tij në komisionet parlamentare.
Po ashtu, në lexim të parë u shqyrtuan Projektligji nr.08/L-283 për harmonizimin e ligjeve të veçanta me Ligjin nr. 05/L-087 për kundërvajtje, si dhe Projektligji nr.08/L-290 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-013 për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës, duke marrë miratimin me shumicë votash nga deputetët.
Lidhur me Raportimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare, inicuesja e kësaj pike deputetja Fatmire Kollçaku, propozoi që kjo pikë të shtyhet në një nga mbledhjet e radhës, meqë kryeministri Albin Kurti ndodhet jashtë vendit.
Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi edhe Projektrezolutën për vlerësimin e punës së Autoritetit Rregullator për Komunikimet Elektronike dhe Postare, për vitin 2022.
Në fund të kësaj seance u themelua Komisioni Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Komisionit të Pavarura të Mediave.
Më pas Kuvendi vijoi me shqyrtimin dhe votimin e pikave të papërfunduara në seancë e 4 prillit. Fillimisht, në mungesë të kuorumit për vendimmarrje, për një seancë tjetër u bartën katër projektligje: Projektligji për verëra, Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, Projektligji për gjendjen civile dhe ai për shpronësimin e pronës së paluajtshme.
Në vijim Kuvendi u dha mbështetje me votë në parim dy projektligjeve: Projektligjit për Inspektoratin qendror të mbikëqyrjes së tregut dhe atij për mbrojtjen e konsumatorit, përderisa në mungesë të kuorumit për vendimmarrje barti për një seancë të radhës votimin e Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028.
Në mungesë të propozimeve nga të gjitha grupet parlamentare, për një seancë tjetër u bart edhe votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti.
Në vazhdim të punimeve Kuvendi miratoi rekomandimet nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.08/L-021 për tregti me jashtë, rekomandimet lidhur me Raportin e auditimit të performancës “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për vitin 2021”, si dhe ato për Raportin e auditimit të performancës “Renovimi dhe konfigurimi i stadiumit të qytetit në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë”.
Po ashtu mbështetjen e shumicës së deputetëve të Kuvendit e mori edhe raporti vjetor të Ndërmarrjes Publike, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, për vitin 2022.
Në mungesë të propozuesit u shty shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa u miratuan dy projektrezoluta: Projektrezoluta për vlerësimin e punës së Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2022 dhe ajo për vlerësimin e punës së Autoritetit të Konkurrencës i Republikës së Kosovës për vitin 2022.
Kuvendi gjithashtu themeloi Komisionin Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.
Në vazhdim të seancës, pas procedurës së fshehtë të votimit Kuvendi zgjodhi Habib Bashollin, kryesues dhe Nasuf Mjekiqin e Bahri Karaxhën, anëtarë të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, me mandat pesëvjeçar.
Për pesë vjetët e ardhshëm anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, përfaqësues nga Oda e Avokatëve të Kosovës, do të jetë edhe Mustafë Nuhiu, i cili gjithashtu fitoi besimin e shumicës së deputetëve të Kuvendit.
Pika e fundit e këtij vazhdimi, shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës, u shty në mungesë të propozuesit.