Kuvendi i Republikës së Kosovës

Dëgjim publik i Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për ndryshim plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë 

17.05.2024

Sot Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, kryesuar nga Valon Ramadani, kryetar, mbajti dëgjim publik për ndryshim plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë Nr.08/L-197.

Për të dhënë rekomandimet, vërejtjet dhe sugjerimet e tyre lidhur me projektligjin në fjalë, të pranishëm ishin përfaqësues nga Zyra e BE-së në Kosovë, përfaqësues nga ARKEP, përfaqësues nga Shoqata e Personave me Aftësi të Kufizuar si dhe përfaqësues nga Asociacionit i Komunave të Kosovës.

Kërkesa dhe përfshirja në projektligj e institucioneve të pavarura të krijuara nga Kuvendi, sigurimi i transportit për persona me aftësi të kufizuar dhe mundësia e të punuarit online, inicimi i konsultimeve publike për projektligjin, arsyetimet për lëvizjet e parapara për nëpunësit civilë, çështjet e ushtruesve të detyrës dhe afatet kohore, ishin disa nga kërkesat dhe vërejtjet e ngritura nga të pranishmit në dëgjim publik.

Po ashtu, emërimet dhe shkarkimet nga marrëdhënia e punës, hapja e konkurseve brenda dhe jashtë komunës, afatet kohore për rekrutimin e punonjësve të rinj, ishin disa nga çështjet e tjera të diskutuara në takimin e sotëm.

Dëgjimit publik i kontribuuan edhe anëtarët e komisionit, duke vlerësuar pozitivisht komentet e të pranishmëve dhe duke shfaqur qëndrimet se çdo rekomandim do të shqyrtohet me kujdes, me qëllim të mirëmbajtjes së një administrate funksionale, të paanshme dhe profesionale.

Kryetari i komisionit, Valon Ramadani, në fund të këtij dëgjimi publik, falënderoi të pranishmit për komentet e tyre, duke i ftuar që si të tilla t’i dërgojnë me shkrim brenda afatit të caktuar kohor.