Kuvendi i Republikës së Kosovës

Berisha me anëtarë të Kryesisë pret një delegacion të Bundestagut gjerman

18.03.2015

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, bashkë me anëtarët e Kryesisë, Sabri Hamitin, Xhavit Halitin dhe Gazmend Muhaxherin, ka pritur një delegacion të Bundestagut gjerman, të udhëhequr nga deputetja Uta Zapf. Temë bisede kanë qenë bisedimet statusore për Kosovën dhe e ardhmja e rajonit.

Pasi ka falënderuar për mbështetjen e përhershme të Bundestagut gjerman për Kuvendin e Kosovës, kryeparlamentari Berisha ka theksuar përparimet gjithanshme që janë bërë në Kosovë pas largimit të forcave serbe. Kosova po i afrohet fazës së fundit të përcaktimit të statusit, prandaj na nevojitet më shumë se kurrë ndihma e miqve, ka thënë Berisha. Ai pastaj ka dhënë një pasqyrë të tri takimeve të Vjenës, ka vlerësuar konstruktivitetin e delegacionit të Kosovës në bisedime dhe ka vënë në pah tendencat e pareshtura të palës serbe për bllokimin e procesit të bisedimeve për përcaktimin e statusit të Kosovës. Berisha ka theksuar, ndërkaq se në Kosovë ka tolerancë ndëretnike, se Kosova është multietnike dhe se ka liri të lëvizjes së qytetarëve. Duke folur për çështjen e decentralizimit, Berisha ka theksuar se reformimi i pushtetit lokal nuk duhet të jetë proces pozitiv vetëm për serbët, por për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Në interesimet e mysafirëve për ofertën serbe për Kosovën, Berisha është shprehur se Kosova i ka shijuar të gjitha llojet e autonomisë nga Serbia dhe nuk kemi nevojë të bëjmë eksperimente të tjera.

Edhe anëtarët e tjerë të Kryesisë kanë theksuar se vazhdon i njëjti diskurs i Beogradit për Kosovën, që nga koha e Millosheviqit. Të gjithë ata kanë pohuar vullnetin për fqinjësi të mirë edhe me Serbinë, por kanë tërhequr vërejtjen se problemi i Kosovës nuk është problem i pakicave, po i shumicës së popullsisë së saj, kurse kërkesë ekzistenciale e kësaj shumice është pavarësia e Kosovës, kanë thënë parlamentarët kosovarë në takim me delegacionin e Bundestagut gjerman.