Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e rregullt e Plenumit Parlamentar të Komunitetit të Energjisë…

24.05.2023

Mbledhja e Plenumit Parlamentar të Komunitetit të Energjisë, mbajtur me datë 23 maj 2023 në Bruksel, u fokusua në progresin për arritjen e targeteve 2030 dhe ndikimit të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, si dhe për sektorin energjetik të integruar dhe të gjelbër të pas luftës në Ukrainë.

Në emër të Kuvendit të Kosovës, gjatë fjalës së saj, deputetja Mimoza Kusari Lila prezantoi angazhimet, të arriturat dhe sfidat e sektorit energjetik në Kosovë. Ajo potencoi se përpjekjet tona për tranzicionin energjetik vazhdojnë në Kosovë bashkë me zbatimin e objektivave të strategjisë së energjisë, të cilat filluan me zhvillime pozitive e që fokusohen në dekarbonizim dhe rritjen e kapaciteteve nga burimet e energjisë së ripërtërishme. 

Ajo shtoi se këto objektiva strategjike do të adresohen përmes zbatimit gradual të çmimit të karbonit, promovimit të burimeve të energjisë së ripërtëritshme për prodhim të energjisë elektrike, si dhe promovimit të përdorimit të energjisë së ripërtërishme për ngrohje, me qëllim për të arritur një kapacitet total të instaluar prej 1600 MË deri në vitin 2031. 

Në funksion të zbatimit të strategjisë së energjisë. deputetja Kusari Lila listoi disa projekte të sektorit energjetik të cilat janë duke u zhvilluar në Kosovë. Po ashtu tutje, lidhur me efiçiencën e energjisë, ajo potencoi zbatimin e programeve dhe skemave për subvencionimin e pajisjeve efiçiente të ngrohjes dhe për kursim të konsumit të energjisë elektrike. 

“Synimi ynë është të transformojmë sektorin e energjisë në Kosovë, duke garantuar besueshmëri, siguri të furnizimit dhe duke harmonizuar politikat tona mjedisore dhe zhvillimin e qëndrueshëm me ato të BE-së. Ne besojmë se duke punuar së bashku dhe duke marrë mbështetje të mëtejshme nga partnerët tanë, mund të arrijmë një tranzicion të drejtë që na çon drejt një sistemi të energjisë së pastër”, tha deputetja Kusari Lila.

Në fjalën e tij deputeti Pal Lekaj potencoi se ky Plenum dhe kjo temë kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë, duke e ditur tranzicionin e botës drejt ekonomisë së gjelbër, mjedisin e pastër dhe idenë e arritjes së objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. Ai shtoi se edhe në proceset më të fundit të Bashkimit Evropian, si Marrëveshja e Gjelbër apo Agjenda e Gjelbër për vendet e Ballkanit Perëndimor, politikat dhe investimet e vendeve të Evropës, duhet që investimet publike, konsumin dhe taksimin ta orientojnë drejt prioriteteve të gjelbra. 

“Për më shumë, vendi ynë, në vazhdimësi përmes Kuvendit të Kosovës, Qeverisë, komisioneve parlamentare dhe me përfshirjen e shoqërisë civile, sektorin privat dhe qytetarët në përgjithësi, mundohet të krijojë dhe zbatojë veprimet konkrete në mbrojtjen e ambientit, energjinë e ripërtërishme, zhdukjen e deponive ilegale të mbeturinave, ujin e pastër etj. Shteti ynë është me Bashkimin Evropian dhe botën demokratike në mbrojtjen e ambientit, pasi që ambienti është i të gjithëve pa dallim dhe se patjetër duhet ta ruajmë sot që ta kemi edhe nesër. Ne e përkrahim fuqishëm çdo ide, plan dhe politikë ambientaliste, por që kemi nevojë për projekte të Bashkimit Evropian në zbatim të politikave të gjelbra në shtetin tonë”, tha deputeti Lekaj.

Po ashtu, delegacioni nga Kuvendi i Kosovës mori pjesë edhe në Punëtorinë për bërjen e Komunitetit të Energjisë të përshtatshëm për Mekanizmin e Rregullimit të Kufirit të Karbonit (CBAM), në të cilin u diskutua se çfarë pritet nga CBAM dhe si do të reagohet, e organizuar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë para mbledhjes së Plenumit Parlamentar të Komunitetit të Energjisë.

Qëllimi i Plenumit është të ndihmojë palët në adresimin e sfidave të përbashkëta energjetike dhe të mbështesë ndërtimin e një tregu energjetik pan-evropian plotësisht funksional, i cili funksionon në të mirë të qytetarëve. Plenumi parlamentar mbledh së bashku nga dy përfaqësues të parlamenteve kombëtare të palëve kontraktuese, pozitë dhe opozitë, nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina, si dhe përfaqësues të Parlamentit Evropian. Nga Kuvendi i Republikës së Kosovës morën pjesë deputetë, aëntarë të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Mimoza Kusari Lila, anëtare dhe Pal Lekaj, zëvendës anëtar i këtij Plenumi.