Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhje e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere

24.05.2023

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, kryesuar nga kryetari Armend Muja, mbajti sot mbledhjen e radhës.

Komisioni hodhi në votim raportin me amendamente të komisionit funksional për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën përmbarimore, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin dhe raportin me amendamente të komisionit funksional për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mjekësinë ligjore, por nuk morën mbështetje në mungesë të kuorumit për vendimmarrje.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi, debat ky që ishte ndërprerë javën që shkoi.

Në lidhje me këtë vendim u diskutua gjatë, me ç’rast anëtarët e Komisionit dhanë pikëpamjet e tyre në lidhje me vendimin e Qeverisë.

Në mbledhje ishte e pranishme edhe anëtarja Kimete Gashi, kryetarja e Bordit të OSHP-së, Vjosa Gradinaj si dhe anëtarë tjerë të Bordit të këtij institucioni.

As në këtë mbledhje nuk u mor ndonjë vendim, por u vendos që debati të vazhdojë për mbledhjen e radhës.

Për mbledhjen e radhës u shty edhe shqyrtimi i Raportit Vjetor Financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, shqyrtimi i raportit vjetor financiar të Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2022 dhe shqyrtimi i raportit të shpenzimeve të Kuvendit për 3 mujorin e parë të vitit 2023.