Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal vazhdoi bashkëbisedimet me qytetarët e Komunës së Pejës dhe Gjakovës

13.04.2024

Sot, kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Valon Ramadani, në dëgjimin publik të organizuar për qytetarët e komunës së Pejës dhe Gjakovës, lidhur me Projektligjin për KPM-në, dëgjoj nga afër komentet dhe sugjerimet e tyre sa i përket projektligjit në fjalë. 

Kryetari Ramadani fillimisht përgëzoi qytetarët e të dy komunave për gatishmërinë e tyre për të kontribuuar në draftimin e projektligjit, për të vazhduar tutje me rëndësinë që i njëjti ka, sa i përket rregullimit të informimit në vendin tonë. 

Për më tepër, kryetari Ramadani shtoi se përmes këtij projektligji, që, sipas tij ka ardhur si rezultat i punës dhe angazhimit të palodhshëm nga ekspertë mediatikë nga vendi dhe Bashkimi Evropian, shoqëria civile dhe akterë tjerë relevantë, parashihet rregullimi i mediave online- me përmbajtje video, transparenca financiare, pronësia, por, gjithashtu përmes tij bëhet edhe përafrimi i legjislacionit aktual me atë të Bashkimit Evropiane, kryesisht ditektivën për mbrojtje të fëmijeve dhe integritetin e lajmit.


Në anën tjetër, të pranishimit e këtij dëgjimi publik adresuan pyetjet, komentet, shqetësimet dhe paqartësite e tyre referuar pikave që pretendohen të rregullohen me Projektligjin për KPM-në. Me theks të veçantë pjesëmarrësit në diskutim trajtuan mosregjistrimin e mediave që veprojnë në format të videove dhe rrezikshmërinë e tyre sa i përket ruajtjes së integritetit të vet lajmit që plasohet si dhe qyetarëve që u drejtohet lajmi. 

Ndërkaq, bashkëbisedimit me qytetarët e komunës së Gjakovës ju bashkuan dhe deputetët vendas,  Ardian Gola, Mimoza Kusari dhe Agon Batusha.

Gjatë diskutimit me qytetarë nga kjo komunë, përveç çështjeve të lartcekura, u theksua po ashtu dhe domosdoshmëria për respektim të plotë të kodit të etikës dhe masave ndëshkuese për të gjitha ato media që operojnë në kundërshtim me të dhe që në asnjë mënyrë të mos rrezikohet siguria kombëtare nga lajmet e rreme.

Pas përfundimit të diskutimit, kryetari Ramadani, kërkoi nga pjesëmarrësit që nëse kanë sugjerime dhe komente shtesë, t’i adresojnë ato tek komisioni në fjalë para datës 26 prill. 
Siç tha ai, të gjitha komentet, nga Zyra e Bashkimit Evropian, OSBE dhe ato të shtatë dëgjimeve publike, do të shqyrtohen një nga një në mbledhjen e këtij komisioni, e paraparë kjo me 26 prill.

Ky aktivitet shënoi edhe përfundimin e dëgjimeve publike lidhur me Projektligjin për KPM-në.