Kuvendi i Republikës së Kosovës

Dëgjim publik i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti

29.03.2023

Sot, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, udhëhequr nga deputeti Driton Hyseni, kryesues i grupit punues, mbajti dëgjim publik për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit.

Deputeti Hyseni, kronologjikisht tregoi fazat e punës në këtë projektligj, duke specifikuar rëndësinë e kontributit të akterëve të tjerë në hartimin e tij.

Si rezultat, në këtë dëgjim publik, ishin të ftuar përfaqësues të institucioneve vendore, si Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përfaqësues nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, Autoriteti  Kosovar i Konkurrencës dhe organizata jo-qeveritare të fushës së mbrojtjes së konsumatorit, të cilët adresuan komentet e tyre lidhur me projektligjin e propozuar.

Duke filluar nga rekomandimet për ndërhyrje teknike të propozuara, në projektligj u propozuan edhe rekomandimet përmbajtësore të cilat i shërbejnë direkt mbrojtjes së konsumatorëve. 

Tregtimi online, direktiva e ndryshme që duhet të përfshihen në projektligj, rregullimi i marrëdhënieve kontraktuale, domeni i konkurrencës, ishin disa nga aspektet e trajtuara në këtë dëgjim publik, duke synuar mbrojtjen sa më të mirë të konsumatorit.

Takimi u përmbyll duke i njoftuar të pranishmit që komentet e tyre aktuale dhe rekomandimet e tjera që lidhen më projektligjit, të dërgohen edhe me shkrim deri më 3 prill 2023.