Kuvendi i Republikës së Kosovës

Seanca plenare e Kuvendit

17.06.2021

Seanca e sotme plenare e Kuvendit, e drejtuar nga kryekuvendari Glauk Konjufca, ka filluar me mocionin e deputetit Elmi Reçica, për të hequr nga rendi i ditës pikën tetë, përkatësisht zgjedhjen e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Grupi Parlamentar i LDK-së dhe ai i AAK-së dhanë mbështetje propozimit, ndërsa Grupi Parlamentar i VV-së kërkoi që për zgjedhjen ose jo të komisionerit të vendos seanca plenare, konform rendit të ditës të përcaktuar nga Kryesia e Kuvendit. 

Rrjedhimisht, me 19 vota për dhe 53 kundër, nuk u miratua mocioni i propozuar. 

Seanca vijoi me deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje të deputetëve në adresë të anëtarëve të kabinetit qeveritar. 

Tutje, Kuvendi, me mbi dy të tretat e votave të tij, u dha mbështetje propozim-vendimeve për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 për formimin e komisioneve parlamentare. 

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-004 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete, ishte pikë e radhës e rendit të ditës, të cilin në seancë e prezantoi dhe arsyetoi deputetja Mimoza Kusari Lila. 

Pasi mori mbështetjen nga të gjitha grupet parlamentare, projektligji, me 70 vota për, u miratua nga Kuvendi.

Seanca vijoi me shqyrtimin e propozimit të Qeverisë së Kosovës për ratifikimin e shtatë anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit. Në emër të qeverisë, propozimin e arsyetoi ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Propozimi po ashtu u mbështet nga GP i Vetëvendosjes dhe i Multietnik, ndërsa u kundërshtua nga grupet parlamentare në opozitë, PDK, LDK dhe AAK. 

Pas diskutimeve, Kuvendi miratoi propozimin e qeverisë. 

Mes kundërshtimesh midis deputetëve të pozitës dhe opozitës, Kuvendi miratoi edhe propozimin e radhës të qeverisë, atë për emërimin e Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës. 

Në vijim, me procedurë të fshehtë votimi, Kuvendi, me 70 vota për, i dha besimin për kryesues të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit, kandidates Albana Luta, kundrejt kandidatit Arsim Rashiti, i cili mori 12 vota.   

Zgjedhja e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi iu nënshtrua një debati të gjerë midis deputetëve të pozitës, në njërën anë, dhe atyre të opozitës, në anën tjetër. 

Përderisa ligjvënës të pozitës theksuan nevojën e përmbylljes së këtij procesi me zgjedhjen e Komisionerit, duke e konsideruar të rregullt këtë proces, deputetë nga radhët e grupeve parlamentare në opozitë e kontestuan gjithë procesin, duke kërkuar anulimin e tij dhe shpalljen e serishme të konkursit. Në këto rrethana, ata lëshuan sallën. 

Seanca vijoi me votimin e fshehtë për tre kandidatë, nga i cili me më së shumti vota, gjithsej 65 sosh, doli Krenare Sogojeva Dermaku, duke e zgjedhur kështu Komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, me mandat pesëvjeçar. 

Kandidati Enver Bujari mori pesë vota, ndërsa Edon Miftari një votë. 

Për pikën e fundit e rendit të ditës, propozim-rezolutën nga debati parlamentar në lidhje situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19, në mungesë të propozuesit, do të vendosë Kryesia e Kuvendit.