Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga vizita e Komisionit për Ekonomi… në Ngrohtoren e Qytetit Gjakovë SH.A. dhe në Kompaninë Rajonale të Ujit Gjakova

16.09.2021

Anëtarët e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, të prirë nga Ferat Shala, kryetar i këtij komisioni, vizituan Ngrohtoren e Qytetit Gjakovë SH.A. dhe në Kompaninë Rajonale të Ujit Gjakova.

Në Ngrohtoren e Qytetit Gjakovë SH.A., deputetët u pritën nga kryeshefja, Albana Skivjani, me bashkëpunëtorë, e cila prezantoi veprimtarinë e ndërmarrjes, si dhe investimet kapitale në impiantin e prodhimit të energjisë termike nga burimet e ripërtëritshme të energjisë – biomasa. 

Ajo, tha se ky impiant do të fillojë të operojë në tetor të vitit 2021, duke shfrytëzuar si lëndë djegëse biomasën, e cila është pjesë e burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

Deputetët u interesuan për menaxhimin e ngrohtores, kapacitetet profesionale, rrjetin e ngrohjes, tarifat, lejen mjedisore për prodhim të energjisë termike nga biomasa, sigurinë e furnizimit me biomasë, tarifat për ngrohje, humbjet në sistemin e ngrohjes, borxhet etj. 

Pas përgjigjeve nga Skivjani, deputetët e përgëzuan atë për investimet e bëra, si dhe e inkurajuan të vazhdojnë të punojnë dhe të ofrojnë shërbime cilësore të ngrohjes për sa më shumë qytetarë të Gjakovës. 

Më pas, deputetët panë nga afër impiantin për prodhim të energjisë termike nga biomasa.

Ndërkaq, në KRU Gjakova, deputetët u pritën nga kryeshefi Ismet Ahmeti, anëtarë të bordit, dhe nga bashkëpunëtorë të tjerë. Përfaqësuesit e kësaj kompanie, folën për performancën, të arriturat, investimet, mbulueshmërinë me sistem të ujit, suksesin në inkasim, procesin e ndërtimit të impiantit për ujëra të zeza, sfidat dhe për projektet për të ardhmen.

Deputetët u interesuan të dinë se a planifikohet të kyçen të gjitha zonat në sistem të ujit, për idenë për mbulimin e Malishevës me ujë të pijes, vizionin e bordit për menaxhimin e kompanisë, si dhe për çështje të tjera. 

Kryeshefi Ahmeti, dhe përfaqësues tjerë të kompanisë, dhanë sqarime lidhur me pyetjet e ngritura nga deputetët, duke bërë me dije se inkasimi është pothuajse 100 për qind.

Ahmeti, po ashtu, tha se të gjitha zonat në Gjakovë dhe Rahovec, janë të mbuluara me sistem të ujit, me përjashtim të ndonjë shtëpie, e cila mund të jetë më larg shtëpive të tjera.

Deputetët e konsideruan tregim suksesi KRU Gjakova, dhe inkurajuan që përvojat e mira të kësaj kompanie të ndahen me kompanitë rajonale të tjera të ujit. 

Më pas, deputetët vizituan fabrikën e ujit të KRU Gjakova.

Kjo vizitë u realizua në kuadër të aktiviteteve të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, për të parë nga afër sukseset dhe sfidat e ndërmarrjeve publike, dhe investimet në energjinë e ripërtëritshme.