Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit 

08.12.2022

Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën kryesimin e kryeparlamentarit, Glauk Konjufca,  ka mbajtur sot seancë të jashtëzakonshme, bazuar në kërkesën e 42 deputetëve nënshkrues, me temën: shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr.01/110, datë 29.11.2022, për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë edhe për 30 ditë. 

Duke arsyetuar kërkesën e Qeverisë, përkatësisht, vendimin e saj për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë edhe për 30 ditë, ministrja e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha:” Qeveria e Kosovës i propozon Kuvendit të Kosovës zgjatjen e masave emergjente për furnizim me energjie elektrike, me qëllim të normalizimit të plotë të gjendjes dhe marrjes së masave shtesë dhe vazhdimit të masave ekzistuese”.

Pas kësaj, fjalën e morën përfaqësuesit e grupeve parlamentare, ku u vunë në pah qëndrime të kundërta ndërmjet përfaqësuesve të pozitës dhe atyre opozitarë. 

Derisa deputetja e VV-së Jeta Statovci, u shpreh në favor të vendimit të Qeverisë, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ai i LDK-së, Arben Gashi, si dhe përfaqësuesi i AAK-së, Besnik Tahiri, vlerësuan se vendimi i Qeverisë nuk duhet të mbështetet. 

Mungesa e Strategjisë për energjinë, mosfunksionimi i plotë i blloqeve  energjetike, siç janë: A, A1, A5 dhe B2 në KEK, ishin disa nga çështjet që u kërkua sqarim nga ministrja Rizvanolli. 

U vu në dukje po ashtu edhe interesimi i deputetëve lidhur me ndikimin e gjertanishëm të  këtyre masave emergjente, si dhe efektin që pritet të kenë pas miratimit të vendimit, të propozuar nga Qeveria. 

Pas shterimit të debatit, Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë edhe për 30 ditë, u hodh në votim. 

Me këtë rast, deputetët me 61 vota për, përkrahën këtë vendim.