Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhje e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere

27.01.2023

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, nën udhëheqjen e kryetarit Armend Muja, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën u shqyrtua raporti me amendamente i komisionit funksional për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikushme, si dhe u raportua nga  ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, lidhur me rritjen e vlerës së faturave të tatimit në pronë.

Duke e vlerësuar si shumë të domosdoshëm këtë projektligj, anëtarët e komisionit me shumicë votash miratuan raportin me amendamente të komisionit funksional për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikushme. 

Tutje, komisioni vazhdoi mbledhjen me raportimin e ministrit Hekuran Murati, lidhur me rritjen e vlerës së faturave të tatimit në pronë. 

Ministri Murati, ndër të tjera theksoi faktin se ky ligj daton që nga viti 2018, mirëpo, ajo që sipas tij ka ngritur shqetësim tek qytetarët, është se këtë vit përveç tatimit në pronë, do të ketë edhe tatim të tokës, ashtu siç e ka paraparë vet ligji në nenin 7, që thekson se në vitin e 5-të të zbatimit të ligjit të hyjë në fuqi tatimi 100 për qind i tokave. Prej hyrjes në fuqi kanë filluar të tatimohen edhe tokat, sepse njëherë kanë qenë vetëm ndërtesat. 

“Viti 2023 është kur tatimi në toka aplikohet në vlerën 100 për qind, domethënë këtë e obligon ligji. Ky ligj e ka përcaktuar qysh në vitin 2018 se tokat duhet të tatimohen dhe pjesa më e madhe e rritjes së faturave shkon nga ky tatim”, u shpreh ministri Murati. 

Nga ana e anëtarëve të komisionit, kjo rritje e tatimit në këtë kohë u konsiderua sfiduese. Për rrjedhojë, ata u pajtuan që rekomandimet se si të menaxhohet dhe cilët hapa të ndërmerren për lehtësim të kësaj barre të qytetarëve, t’i paraqesin me shkrim dhe gjatë javës tjetër bashkërisht të vendosin për propozime konkrete. 

Në fund, nga ministri Murati u kërkua Raport i Përgjithshëm financiar për periudhën nëntor 2021 - dhjetor 2022, për të parë se cilat masa i ka marrë Qeveria për tu dalë në ndihmë qytetarëve dhe kush çka ka përfituar, përfshirë këtu edhe sektorin e energjisë, për subvencionet që janë dhënë.