Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi vazhdoi punimet e seancës plenare

08.12.2022

Nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdoi sot punimet e seancës plenare, me pikat e papërfunduara më 10 dhe 24 nëntor.

Seanca hapi punimet me shqyrtimin i parë të Projektligjit nr.08/L-184 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje. Projektligji u arsyetua nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu. Gjatë prezantimit të projektligjit, ministri Aliu tha se ky projektligj synon të vazhdojë afatet për legalizim, si dhe ofrimin e kohës shtesë për trajtimin e ndërtimeve pa leje. 

Më pas, në cilësinë e kryetares për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, deputetja Fitore Pacolli bëri thirrje për votim të këtij projektligji, meqë sipas saj, projektligji është në përputhje me rregulloren e Kuvendit.

Tutje, përfaqësuesit e grupeve parlamentare dhanë mbështetjen e tyre për projektligjin. Nga GP i Lëvizjes Vetëvendosje fjalën e mori deputetja Jetmire Vrenezi, e cila tha se grupi që ajo përfaqëson përkrah projektligjin dhe bëri thirrje për mbështetje nga ana e deputetëve të tjerë.

Përkrahjen e këtij projektligji në emër të GP të Partisë Demokratike të Kosovës e dha deputeti Isak Shabani. Ai u shpreh se numri i madh i ndërtimeve pa leje shtron nevojën që të shtyhet afati për aplikim, siç edhe parashihet me projektligj.
 
Më pas, qëndrimi i GP të Lidhjes Demokratike të Kosovës u bë i qartë nga deputeti Besian Mustafa. Sipas tij, GP i LDK-së mbështet këtë projektligj, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të kenë mundësi t’i legalizojnë ndërtimet e tyre pa leje.

Edhe GP i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës mbajti qëndrim përkrahës. Besnik Tahiri nga ky grup deklaroi se legalizimi ndihmon shumë planifikimin që lidhet në nivel kombëtar dhe pastaj, sipas tij, krijohet një simetri ndërtuese.
 
Debati vijoi me diskutime të deputetëve të tjerë, të cilët në fund i dhanë mbështetje me votë projektligjit, duke i hapur rrugë shqyrtimit të mëtejmë të tij në komisionet përkatëse. 

Pas pauzës, deputetët shqyrtuan në lexim të parë Projektligjin nr.08/L-168 për Prokurorinë Speciale. 

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, arsyetoi projektligjin, për të cilin tha se synon avancimin e mëtejshëm të legjislacionit lidhur me sistemin prokurorial. 

Nga ana e kryetarit të Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, u bë thirrja për mbështetje. I njëjti foli edhe në emër të GP të Lëvizjes Vetëvendosje, me ç’rast numëroi dobitë e projektligjit, duke shprehur mbështetjen e grupit që përfaqëson. Ai tha se ky projektligj është mëse i nevojshëm për të ngritur efikasitetin në luftimin e korrupsionit. 

Gjithsesi edhe Hajdar Beqa, duke folur në emër të GP të Partisë Demokratike të Kosovës, tha se është rregulluar bashkëpunimi në mes të prokurorisë dhe policisë së Kosovës, prandaj, ai bëri të ditur mbështetjen e grupit të tij parlamentar në këtë fazë. 

Po ashtu, edhe GP i Lidhjes Demokratike, nëpërmjet deputetit Driton Selmanaj, i dha mbështetje projektligjit. Deputeti Selmanaj u shpreh se ndonëse LDK e mbështet, duhet bërë disa ndryshime në nenin 10 dhe 16.

Në fjalën e tij në emër të GP të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj deklaroi se në parim do ta mbështesin këtë projektligj. Projektligji për Prokurorinë Speciale u miratua me 69 vota. 

Tutje, u bë shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-187 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr. 08/L-032 të Procedurës Penale. Ky projektligj gjithashtu u arsyetua nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ndërsa mbështetjen e Komisionit për Legjislacion e bëri të ditur kryetari Adnan Rrustemi. 

Qëndrim të njëjtë deputeti Rrustemi pati edhe në emër të GP të Lëvizjes Vetëvendosje. Ai tregoi rëndësinë e ndryshimit në Procedurën Penale, duke thënë ftuar deputetët për mbështetje.
 
Në anën tjetër, Hajdar Beqa, duke folur në emër të GP të Partisë Demokratike të Kosovës, tha se sponsoruesi i projektligjit nuk është treguar transparent sa duhet. Në këtë rast, ai bëri të ditur se një pjesë e partisë së tij mund ta mbështes projektligjin, por jo edhe vet deputeti Beqa. 

Pastaj, fjalën e mori Doarsa Kica Xhelili në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ajo bëri të ditur LDK-ja nuk do të votojë pro këtij projektligji.
 
Por mbështetje projektligjit i dha GP i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nëpërmjet kryetarit Besnik Tahiri. 

Për rrjedhojë, projektligji mori përkrahjen e mjaftueshme të deputetëve të pranishëm, duke u miratuar në lexim të parë, për të vazhduar tutje me procedurat e tjera të rregullta. 

Edhe projektligji i radhës, ai për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr. 06/L-074 Penal i Republikës së Kosovës, u paraqit edhe arsyetua nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Si sponsorizuese e këtij projektligji, ajo i numëroi ndryshimet që parashihen, duke përmendur sanksionet që pasojnë në rast të shpalljes së fajtorit për dhunë në familje. 

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, paraqiti rekomandimin e komisionit për miratimin e projektligjit, sikurse edhe qëndrimin e GP të VV-së, duke bërë thirrje për miratimin e tij. 
 
Në anën tjetër, Blerta Deliu Kodra nga GP i Partisë Demokratike të Kosovës, theksoi se partia e saj do votojë pro këtij projektligji, përkundër që pati disa vërejtje për të cilat u tha se do të duhej të amendamentohen në lexim të dytë. 

Këtë qëndrim nuk e pati përfaqësuesja e GP të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ajo njoftoi se LDK nuk do e votojë projektligjin në fjalë. 

Mirëpo, për shkak të mungesës së kuorumit, seanca ndërpreu punimet për një datë tjetër të pacaktuar.