Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi miratoi në shqyrtim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore

28.07.2021

Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancën e sotme plenare, të drejtuar nga kryetari Glauk Konjufca shqyrtoi në lexim të dytë Projektligjin nr. 08/L-016 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021.

Në hyrje të kësaj seance, kryeparlamentari Konjufca ftoi deputetët që të mbajnë një minutë heshtje në shenjë solidarizimi me familjarët e 10 jetëve të humbura nga aksidenti i së shtunës në Kroaci. 

“U prehshin të qetë në dheun e Kosovës, të cilin e deshën aq shumë”, u shpreh Konjufca.

Seanca vazhdoi punimet me shqyrtimin e dytë të Projektligjit nr. 08/L-016 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Armend Muja, në prezantimin dhe arsyetimin e raportit të këtij komisioni, ftoi deputetët që ta mbështesin projektligjin, së bashku me amendamentet e propozuara, të cilat janë rekomanduar për miratim në këtë seancë.

Lidhur me projektligjin u deklaruan edhe grupet parlamentare. Armend Muja nga Lëvizja Vetëvendosje u shpreh se ky grup parlamentar mbështet miratimin e projektligjit në fjalë, ndërsa Bedri Hamza nga GP i PDK-së, Hykmete Bajrami nga GP i LDK-së dhe Pal Lekaj nga GP i AAK-së, e kundërshtuan atë. 

Në emër të GP multietnik, mbështetje projektligjit i dha deputeti Enis Kervan. 

Pas shterimit të diskutimit nga ana e deputetëve, kryetari Konjufca propozoi që në përputhje me rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, 35 amendamentet e propozuara, të votohen radhazi.

Punimet e kësaj seance u mbyllën me hedhjen në votim të Projektligjit nr. 08/L-016 me amendamentet e miratuara, me ç’rast, me 69 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi e miratoi atë.