Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti mbajti mbledhjen e radhës

27.07.2021

Sot, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, kryesuar nga Ferat Shala, kryetar, mbajti mbledhjen e radhës, në të cilën, ishte e pranishme ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Gjatë raportimit të saj, ministrja Hajdari foli gjerësisht për nivelin e zbatimit të Ligjit për shoqërinë tregtare dhe për problematikat që kanë lindur në këtë proces. Ajo tha se këto vështirësi janë adresuar dhe se është duke u punuar në zgjidhjen e tyre.

Tutje, kryesuesja e grupit punues, deputetja Mimoza Kusari Lila, foli mbi dëgjimin publik të mbajtur javën që lamë pas, pjesë e të cilit ishin edhe grupet e interesit. Kusari Lila theksoi se grupi punues ka identifikuar probleme tek bizneset vendore, në regjistrimin e degëve të tyre në Shqipëri dhe anasjelltas.

Më pas, anëtarët e komisionit diskutuan gjatë për disa çështje, siç është ajo e kuotës gjinore dhe përpjekjen e qeverisë për përfshirjen më të madhe të grave në fushat e bizneseve dhe më gjerë, si dhe ajo e dallimeve gjinore në marrjen e pagave në pozita relevante.

Tutje, ministrja Hajdari potencoi interesimin e qeverisë, si nevojë bazike të shoqërisë sonë, për rritjen e numrit të grave në profesionet inxhinierike, si dhe theksoi synimin për bashkëpunim me universitetet dhe bizneset për zhvillimin e industrisë.

Më pas, anëtarët e komisionit u dakorduan që grupi punues t’i japë rekomandimet e tyre dhe në procedurë të rregullt t’ia paraqet Kuvendit të gjitha të gjeturat.

Në vazhdim komisioni i dha mbështetje vendimit të qeverisë për zgjedhjen e bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, si dhe rekomandimet lidhur më aktualitetin në sektorin e ujërave dhe performancën e Kompanive Rajonale të Ujit.

Mbledhja përfundoi me formimin e katër grupeve punuese me nga një kryesues dhe dy anëtarë, për shqyrtimin e projektligjeve në procedurë.