Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga vazhdimi i seancës plenare 

25.05.2023

Nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, Kuvendi i Kosovës vazhdoi sot punimet me pikat e seancës së datës 23 mars 2023.

Seanca filloi me shqyrtimin e propozim-rezolutës për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të propozuar nga tetë deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i cili u prezentua nga deputeti Ferat Shala.

“Anashkalimi i bizneseve, keqmenaxhimi i buxhetit, emërimi dhe shkarkimi i shtatë sekretarëve për një periudhë të shkurtër kohore, janë vetëm disa nga shkeljet e kësaj ministre. Duhet të reflektoni se çka është kjo ministre që operon kështu në mënyrë të paligjshme dhe të pandershme”, theksoi Shala.

Ndërkaq, deputetja Mimoza Kusari – Lila, duke folur në emër të GP të Lëvizjes Vetëvendosje, mohoi deklaratat e deputetit Shala në adresë të ministres Rozeta Hajdari. 

“Ju inkurajoj që ta shqyrtoni dhe ta tërhiqni këtë propozim – rezulutë, sepse nuk ka asnjë bazë kushtetuese apo ndonjë vlerë përmbajtësore në atë se çka propozuat”, bëri thirrje Kusari – Lila. 

Tutje, kryetari i GP të PDK-së, deputeti Abelard Tahiri, mbrojti qëndrimet e kësaj partie lidhur me përmbajtjen e propozim – rezulutës. 

“Largimi saj do t’i ndihmonte edhe kryeministrit Albin Kurti, sepse më pas do të vjen dikush që është më kompetent për ta drejtuar një prej ministrive më të rëndësishme për vendin tonë. Ministrja e tanishme nuk ka idenë si të sjellë investitorë, por vetëm si të abuzojë me grante”, tha Tahiri. 

Edhe deputetja Valentina Bunjaku – Rexhepi, në emër të GP të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shfaqi kritika ndaj punës së ministres Hajdari. 

“Kjo ministre për arsye morale dhe për të gjitha ato që i ka bërë është etike dhe e domosdoshme që të largohet nga kjo pozitë dhe të ofroi dorëheqjen e saj”, u shpreh ajo. 

“Ne si spektër politik, por edhe qytetarët e Kosovës definitivisht jemi pajtuar se institucioni me të cilin udhëheqni ju ministre Hajdari është një ministri e dështuar dhe e paaftë në sjelljen e ndonjë suksesi që pothuajse tri vite”, u shpreh deputeti Pal Lekaj, në emër të GP të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili po ashtu kritikoi ministren Hajdari për mospërmbushjen e premtimeve dhe për dështim në investime. 

Në vazhdim, për t’iu përgjigjur deputetëve, fjalën e mori ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. 

Ajo i quajti shpifje dhe informata gjysmake e të qëllimshme të gjitha ato që u thanë nga deputetët e opozitës. 

“Do t’i përgjigjëm çdo kërkese që ju e keni pasur, megjithatë ekziston auditori dhe asnjëherë nuk është gjetur ndonjë shkelje” shtoi ministrja Hajdari. 

Po ashtu, ministrja Hajdari arsyetoi secilin veprim dhe vendim të saj, duke mohuar se ka bërë ndonjë shkelje. 

Pas debatit për këtë çështje, në mungesë të kuorumit, u ndëre kjo seancë për të vazhduar në një ditë tjetër.