Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga seanca plenare e Kuvendit

23.03.2023

Nën kryesimin e kryetarit Glauk Konjufca, Kuvendi i Republikës së Kosovës mbajti sot seancë të re plenare, duke filluar me urimet për muajin e shenjtë të Ramazanit për të gjithë besimtarët myslimanë.

Në këtë seancë plenare fillimisht u miratuan tri marrëveshje ndërkombëtare: Marrëveshja e financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”, Marrëveshja e kredisë për projektin -korniza e qyteteve të gjelbërta 2 dritarja 2 - efiçienca e energjisë në ndërtesa publike në Prishtinë, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe Marrëveshja e kredisë për projektin - efiçienca e energjisë në ndërtesa publike në Prizren, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Tutje, seanca vazhdoi punimet me raportimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për takimin e Ohrit në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. 

Duke potencuar se procesi i sapokaluar ka sjellë një marrëveshje të re dhe që do të sjell hapje të re drejt rezultatit përfundimtar, kryeministri Kurti tregoi se marrëveshja bazë për stabilizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë përbëhet nga 11 nene, një preambulë dhe aneksin që shton 12 pika të reja.

Kryeministri Kurti potencoi se me marrëveshjen e Ohrit Serbia është zotuar të mos kërcënojë me përdorimin e forcës dhe t’i jap fund mosmarrëveshjeve me mjete paqësore. Ai tha se Serbia s’do të duhej të kundërshtojë më anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare e as të bllokojë rrugën e Kosovës drejt BE-së, duhet të ketë njohje të dokumente dhe simboleve shtetërore përkatëse dhe shkëmbim të misioneve të përhershme në thelb me ambasadat.

“Marrëveshja është njohje de-facto e vendosur në formë të shkruar dhe me një status të pakthyer, pasi qe BE dhe SHBA janë siguruese për përhershmërinë e saj kohore”, tha kryeministri Kurti.

I pari i Qeverisë tregoi se përveç mbikëqyrjes për zbatim të marrëveshjes nga komiteti i kryesuar nga BE-ja, ekziston edhe një mekanizëm detyrues në formën e pasojave negative për shtetin që nuk e zbaton, ndërsa shtetet që bashkëpunojnë në këtë proces do të marrin një nxitje për procesin e integrimit ne BE dhe do të mbështeten financiarisht nga BE. 

Gjatë raportimit të tij Kurti shprehu hapur qëndrimin se Kosova e kundërshton me vendosshmëri dhe forcë etno-nacionalizmin territorial dhe shtoi se asnjëherë nuk do ta konsiderojë asnjë model të autonomisë territoriale. Kryeministri Kurti tregoi se është marrë përsipër formalizimi i statusit të kishës ortodokse në Kosovë dhe ofrimi i një niveli mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore në përputhje me modelet evropiane.

Kreu i qeverisë shtoi se Kosova do të jetë pro-aktive, e përkushtuar dhe konstruktive ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja, duke shtuar se normalizimi i raporteve çon tek rruga drejt BE-së dhe se me këtë proces normalizohet edhe vet Serbia si shtet. Kreu i qeverisë falënderoi të gjithë partnerët negociues në këtë proces të vështirë, vecanërisht SHBA-të dhe përfaqesuesit e tyre, si dhe shtetet si Gjermania, Franca dhe Italia. Po ashtu, ai falënderoi qytetarët e Kosovës që kanë qëndruar pranë këtij procesi, duke theksuar se do ishte edhe më mirë të kishte qartësi dhe parashikueshmëri më të madhe, por siç theksoi kryeministri, për këtë proces po bëhet më e mira që dihet dhe duhet.

Lidhur me këtë temë, nga GP i PDK-së fjalën mori deputeti Memli Krasniqi, i cili tregoi që ndër vite është punuar në këtë drejtim, por që sipas tij, sot është degraduar esencialisht krejt procesi i dialogut. Marrëveshjen në proces, deputeti Krasniqi e quajti të përkohshme, të pjesshme dhe me autonomi në qendër. Sipas tij, marrëveshja ka degraduar nga arritja e një njohje të ndërsjellë në pranimin formal të mos-njohjes së ndërsjellë dhe se është humbur ambicia e SHBA-ve dhe BE-së për marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Lumir Abdixhiku nga radhët e LDK-së tha se shumë procese të propozuara nga kryeministri janë zhbërë gjatë rrugës, madje edhe 6 kushtet e propozuara nga vet ai, me 6 shkurt të këtij viti. Sipas Abdixhikut marrëveshja ka sjellë vetëm të drejta ligjërisht të obligueshme, të drejta vetmenaxhuese për një komunitet, autonomi, asociacion plus dhe status të kishës serbe. E drejta vetmenaxhuese, siç theksoi Abdixhiku, është koncept edhe më i gjerë se asociacioni dhe në këtë rast kjo e drejtë, sipas tij, është pranuar dhe është bërë kriter ndërkombëtar i BE-së për Republikën e Kosovës, e që, siç tha ai, do mbetet barrë e përjetshme e gjeneratave. 

Në anën tjetër nga GP i AAK-së fjalën mori deputeti Besnik Tahiri, duke thekuar se gjendja e Kosovës aktualisht është kritike dhe serioze dhe se me marrëveshjen e Ohrit dialogu i Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë me vite. Deputeti Tahiri tha se është mirë që kryeministri mos ta humbas cakun dhe ta sheh si mundësi arritjen e njohjes reciproke. Sipas Tahirit, përmbajtja dhe procesi i dialogut duhet t’i shërbejë një qëllimi madhor, anëtarësimit në NATO përmes partneritetit për paqe, në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

Deputeti Enis Karvan nga Grupi Multietnik shfaqi qëndrimin pro marrëveshjes së Ohrit, e cila, sipas tij, mbështetë perspektivën evropiane. Ai theksoi se përmes marrëveshjes Kosova njihet de-facto nga Serbia dhe është një hap drejt integrimit në BE, njohjes nga 5 vendet e BE-së dhe anëtarësimit në NATO, në Këshillim e Evropës dhe institucionet tjera ndërkombëtare.

Nga GP i Lëvizjes Vetëvendosje, fjalën mori deputetja Mimoza-Kusari Lila, e cila deklaroi se procesi ka pasur korniza të ngushta të veprimit, duke marrë parasysh që ka filluar në vitin 2013 dhe se Kuvendi ka ratifikuar marrëveshje në këtë process, por që Serbia nuk ka bërë asnjë hap. Siç tha deputetja Kusari Lila, një marrëveshje e tillë mundëson që suksesin mos ta vejë në dorë të Serbisë por në dorën e ndërmjetësve, që janë garantues të pikave të përmendura në marrëveshje. Sipas deputetes Kusari Lila, vlerësimi mbi suksesin duhet të bëhet mbi vlerësimin në rrugën e integrimit evropian.

Pas qëndrimeve të grupeve parlamentare, fjalën e mori serish kryeministri Albin Kurti, i cili tha se 39 marrëveshje janë arritur gjithsej nga viti 2011 deri më 2015 dhe nuk kishte njohje reciproke. Ai po ashtu theksoi se duan njohje reciproke me Serbinë dhe se vetmenaxhimi nuk është vetëvendosje për pakicat serbe, por gjithashtu nuk është as vetadministrim. Vetëvendosja, siç theksoi ai, u përket popujve, jo grupeve etnike.

Diskutimi lidhur me takimin e Ohrit u zgjerua edhe me pjesëmarrjen aktive të deputetëve të tjerë, të cilët shprehën pikëpamjet e tyre lidhur me përfitimet dhe pasojat që mund të sjell marrëveshja, por edhe hapat e mëtutjeshëm që duhet ndjekur.

Me përfundim të debatit parlamentar, Kuvendi i Kosovës përmbylli punimet e kësaj seance plenare për sonte.