Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi zhvilloi punimet e seancës plenare

23.05.2024
Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, mbajti sot seancën plenare të radhës.
 
Fillimisht, me anë të mocionit për shmangie nga afatet procedurale u parashtrua kërkesa për plotësimin e rendit të ditës. Kështu, me kërkesë të kryetares së Gp të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, seanca vendosi të plotësojë agjendën me shqyrtimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për zhvillim ndërkombëtar, Projektligjit për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për Shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan, Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër, në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, si dhe Projektligjit për ratifikimin e amendamentimit nr. 2 të marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2016.
 
Seanca vijoi punimet, duke i dhënë mbështetje me votë Projektligjit për ratifikimin e “Marrëveshjes së bashkëfinancimit për hartimin e Projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren”. Në vazhdim, seanca miratoi gjithashtu Projektligjin për ratifikimin e “Amendamentimit nr.1 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2020”, të cilin paraprakisht, e paraqiti dhe arsyetoi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
 
Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për zhvillim ndërkombëtar, po ashtu, seanca i dha mbështetje me votë. Ndërkaq, para deputetëve këtë marrëveshje e paraqiti dhe arsyetoi ministri Hekuran Murati. 
 
Ministrja e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, para deputetëve paraqiti dhe arsyetoi Projektligjin për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për Shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan, marrëveshje kjo, e cila mori votat e mjaftueshme për ratifikim.
 
Ndërkaq, pati mungesë të kuorumit për Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër, në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim. 
 
Në vijim, Projektligjin për ratifikimin e amendamentimit nr. 2 të marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2016, e paraqiti dhe arsyetoi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Kjo marrëveshje mori votat e mjaftueshme për miratim.
 
Në vijim, po ashtu me anë të mocionit, seanca vendosi që të zhvendosë shqyrtimin e Statutit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në Prishtinë, si pikë të fundit të rendit të ditës.
 
Tutje, seanca vijoi punimet me shqyrtimin dhe miratimin në lexim të dytë të Projektligjit për verëra. Ndërkaq, për Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, nuk pati vendimmarrje. I njëjti bartet për në seancën e radhës.
 
Në vazhdim punimet e seancës vijuan me votimin në parim të Projektligjit për shpronësimin e pronës së paluajtshme. Ndërsa, për dy projektligje të tjera, Projektligjin për gjendjen civile dhe Projektligjin për provimin e maturës shtetërore, nuk pati kuorum për vendimmarrje, rrjedhimisht barten për seancën e radhës.
 
Deputetët pjesëmarrës në këtë seancë miratuan edhe Programin Kombëtar të Shkencës 2023/2028, ndërsa votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti, si dhe votimi i Projektrezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH, shtyhen për seancën e ardhshme.
 
Gjatë punimeve të seancës, Kuvendi themeloi Komisionin Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Komisionit të Pavarura të Mediave dhe miratoi në lexim të parë për Projektligjin për kripto-asetet, ndërsa shqyrtimi i parë i Projektligjit për të huajt, në mungesë kuorumi, bartet për seancën e radhës.
 
Gjithashtu, Projekt-Deklarata për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Projekt-rezoluta për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës, barten për shqyrtim në seancë të re. Ndërkaq, raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare, bartet për trajtim në mbledhjen e Kryesisë.
 
Avokati i Popullit Naim Qelaj, në këtë seancë para deputetëve paraqiti Raportin vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2022, duke ndarë kështu të dhëna nga përmbajtja e këtij raporti. Ndërsa, ky raport nuk mori votat e mjaftueshme për miratim.
 
Sa i përket shqyrtimit të Projektkodit të sjelljes për deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për shkak të rëndësisë që ka, siç u tha nga kreu i Kuvendit, shtyhet për trajtim në njërën nga mbledhjet e radhës.
 
Në këtë seancë, deputetët miratuan buxhetin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe buxhetin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024.
 
Gjithashtu, Kuvendi miratoi Raportin vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2022. 
 
Lidhur me Statutin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në Prishtinë, fjalën e mori ministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila shpalosi detaje për sa i përket këtij statuti. Pas diskutimeve Statuti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në Prishtinë, u hodh në votim, por në mungesë të kuorumit për vendimmarrje edhe kjo pikë bartet për ndonjë seancë tjetër. 
 
Po sot, në vazhdim të seancës së jashtëzakonshme Kuvendi miratoi Projektligjin për ratifikimin e Amendamentit të Marrëveshjes për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (“Marrëveshja”) – neni 1, Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale për infermier, kirurg veterinar, farmacist dhe mami në kontekstin e Marrëveshjes së tregtisë të lirë të Evropës Qendrore, si dhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZHKE) për Projektin “Banimi social adekuat”.