Kuvendi i Republikës së Kosovës

Delegacioni i Kuvendit mori pjesë në punimet e Sesionit të janarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE)  

28.01.2024

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës në APKE, në përbërje Saranda Bogujevci, kryesuese e delegacionit,  njëherësh nënkryetare e Kuvendit, deputetët Arben Gashi, Enis Kervan, anëtarë, Ariana Musli- Shoshi dhe Besnik Tahiri, zëvendësanëtarë, morën pjesë në punimet e sesionit (22-26 janar 2024) të kësaj Asambleje, i cili u mbajt në Strasburg.
 
Gjatë qëndrimit në Strasburg anëtarët e delegacionit morën pjesë në punimet e sesionit, në takime të grupeve politike, të komiteteve, aktivitete të tjera, por edhe shfrytëzuan rastin të takojnë anëtarë të delegacioneve të tjera me të cilët biseduan për tema të ndryshme, kryesisht ato që ndërlidhen më procesin e aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, nga të cilët kërkuan edhe mbështetje në këtë proces.
 
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në këshillin e Evropës, më 12 maj të vitit 2022. Aktualisht Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës është në proces të përgatitjes të një opinioni konsultativ për aplikimin e Kosovës me kërkesë të Komitetit të Ministrave të kësaj organizatë.
 
Për disa ditë në Strasburg ka qëndruar edhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili po ashtu ka zhvilluar takime me personalitete dhe me delegacione të shteteve që e përfaqësojnë në këtë institucion. Në disa nga takimet të cilat i ka mbajtur Kryetari i Kuvendit, është shoqëruar edhe nga anëtarët e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në APKE, z/ministri Kreshnik Ahmeti, si dhe ambasadori Lulëzim Hyseni.
 
Kryetari i Kuvendit po ashtu ka marrë pjesë edhe në takimin e Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci, i cili u mbajt më 23 janar 2024.  Para anëtarëve të këtij komiteti për pikën  “opinioni statutor për aplikimin e një shteti për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, e që është fjala për Kosovën, anëtarëve të këtij komiteti iu adresua Kryetari Konjufca. Në adresimin e tij ai i njoftoi të pranishmit rreth të arriturave të Kosovës, e të cilat i hapin rrugën Kosovës drejt anëtarësimit në këtë organizatë, duke shtuar se që nga viti 2008 Kosova ka dhënë një rang kushtetues dhe ka zbatuar drejtpërdrejt Konventën Evropiane për të Drejtave të Njeriut, Konventën Kuadër për mbrojtjen e pakicave kombëtare si dhe Konventën e Stambollit.
 
Përveç tjerash ai shprehu mirënjohje për mundësinë që iu dha për të folur para këtij komiteti. Kryetari Konjufca po ashtu falënderoi APKE-në, këtë komitet dhe sekretariatin për veprimet e menjëhershme që kanë marrë për shtyrjen para të aplikimit të Kosovës, rrjedhimisht duke emëruar juristët eminent dhe raportuesit.  Po ashtu kryetari Konjufca iu përgjigj dhe pyetjeve të cilat iu adresuan nga anëtarët e këtij komiteti.
 
Përveç të tjerëve për këtë temë foli edhe deputeti Besnik Tahiri, i cili duke iu referuar aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës tha se Kosova nuk po kërkon që kjo t’i dhurohet, por si meritë ngase ajo ka zbatuar të gjithë kapitujt e kësaj organizate, si në aspektin e respektimit të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundim të ligjit.
 
Sa i përket komuniteti serb në Kosovë, ai tha se ata shihen si qytetarë të barabartë me gjithë qytetarët e tjerë dhe se kjo dëshmohet me vet faktin se Kosova nuk mud të ndyrshojë asnjë ligj me interes vital pa pajtimin e tyre, sikurse që nuk mund të ndryshojë as edhe një presje në kushtetutë. 
 
“Ne në Kosovë nuk shohim ndonjë rrezik nga serbet e Kosovës, por kemi problem më politikën që ndjek Vuçiqi në raport me Kosovën dhe qëllimin që ai ka për të penguar normalizimin e raporteve”, tha deputeti Tahiri.
 
Në një nga takimet e këtij komiteti, për pikën “referencat për konsultim” u fol edhe për mocionin për rezolutë, “Përgjigjja ndaj sulmit të dhunshëm në pjesën veriore të Kosovës ndodhur me 24 shtator 2023, iniciuar nga deputeti gjerman Knut Abraham dhe të tjerë, për të cilën anëtarët e këtij komiteti diskutuan në pika të shkurtra dhe u pajtuan unanimisht për t’i dhënë mbështetje mocionit për raport. Kjo u vendos pas qëndrimeve bindëse dhe argumentuese  të ofruara nga tre deputetë, Lulzim Basha dhe Blerina Gjylameti nga delegacioni i Shqipërisë dhe Ariana Musliu-Shoshi nga delegacioni i Kosovës. Diskutimet e tyre ofruan argumente bindëse për të pranishmit se ky institucion duhet të dalë me një raport për këtë çështje e jo të lihet anash pa e marrë vëmendjen e duhur.
 
Në takimin e Komitetit për Çështje ligjore dhe drejta të njeriut, mbajtur me 24 janar te këtij viti, ka folur edhe, znj. Azadeh Rojhan, raportuese nga ky komitet për përgatitjen e opinionit konsultativ, e që ishte edhe adresimi i saj i parë pas vizitës së saj vitin e kaluar në Kosovë. Në diskutimin e saj ajo paralajmëroi se një raport me shkrim do të paraqesë pasi të ketë pranuar një raport nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci, respektivisht nga Dora Bakoyannis si raportuese kryesore.
 
Më pastaj ajo shtoi se “siç u tha dje edhe në takimin e Komitetit për Politikë dhe demokraci, Kosova ka pranuar dhe i ka të inkorporuar në Kushtetutën e vet dhe kuadrin ligjor një numër të madh të instrumenteve të Këshillit të Evropës, si: Konventën Evropiane për të drejtat e njeriut, Konventën e Stambollit dhe Konventën kuadër për mbrojtjen e pakicave kombëtare, por edhe merr pjesë në disa nga trupat monitorues të këtij institucioni”.
 
“Anëtarësimi i saj do t’i hapte mundësinë për pranim të konventave të tjera, por edhe do t’i mundësonte secilit individ të këtij vendi të ketë qasje në Gjykatën e Evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg”, theksoi Rojhan.
 
Ajo njoftoi të pranishmit se në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar ka vizituar Kosovën se bashku me raportuesen nga Komiteti për Barazi dhe mos-diskriminim, dhe se kanë takuar përfaqësues nga qeveria, gjyqësori, anëtarët e parlamentit, ombudspersonin, shoqërinë civile dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, e shumë faktorë të tjerë dhe se është falënderuese për perspektiven e tyre të qartë.
Ajo po ashtu tha se nga ajo që kishte nxjerrë nga vizita e saj në Kosovë si dhe nga raportet kredibile, tashme e ka të qartë mendimin se Kosova i plotëson kushtet për anëtarësim dhe se pranimi i saj do të shkonte në interes të popullit të Kosovës, meqë pas anëtarësimit do të iu jepet mundësia t’i adresohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
 
Të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë mirë të mbrojtura me kushtetutë dhe me legjislacion, mirëpo, kërkohet një progres i vazhdueshëm sa i përket zbatimin e tyre, siç ndodhe edhe me disa nga shtetet anëtare të këtij institucioni, tha ajo.
Në këtë pjesë të sesionit u trajtuan shume tema që ndërlidhen me zhvillimet aktuale dhe që padyshim patën edhe vëmendjen e anëtarëve të delegacionit nga Kuvendi i Kosovës.
 
Në fillim të sesionit u zgjodhën edhe Presidenti dhe z/presidentet e APKE-së për vitin 2024. President për këtë vit u zgjodh Theodoros Rousopoulos, deputet grek.
 
Në vazhdim të punimeve, deputetëve iu drejtuan edhe presidenti i Republikës së Qipros, Nikos Christodoulides dhe ai i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, si dhe kryeministri i Lihtenshtajnit, Daniel Risch, Ministrja e Punëve të Jashtme, Arsimit dhe Sportit i Lihtenshtajnit, Dominique Hasler, Presidentja e Komitetit të Ministrave, si dhe Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq Buriq.
 
Pas adresimit të secilit nga ta, deputetët patën mundësi t’i parashtrojnë edhe pyetje. Një pyetje për Kryeministrin e Lihtenshtajnit, Daniel Risch parashtroi edhe anëtari i delegacionit të Kuvendit të Kosovës, Enis Kervan, i cili pasi tregoi se në delegacion përfaqëson komunitetin jo shumicë tha se, “jemi duke shikuar para t’i festojmë dy festa, 75 vjetorin e themelimit të Këshillit të Evropës dhe vendimin për anëtarësimin e Kosovës, a pajtoheni që të festojmë se bashku?”
 
Në përgjigjën e tij Kryeministri Rich tha se, sa i përket pyetjes për Kosovën dhe festimin e 75 vjetorit, “nuk është vetëm vendimi i vendit tonë që të procedojmë apo jo sa me shpejt”.
 
“Me aq sa e kuptoj dëshira e juaj është që të festojmë se bashku. Është gjithmonë gjë e mire të festojmë, por a do të jetë kjo në 75 apo 76 vjetorin, apo edhe ndonjë vit tjetër nuk e di, por do të jetë një rast i mirë për të bërë një festë atje”, theksoi ai.
Edhe deputetja Ariana Musliu-Shoshi pati mundësinë t’i parashtroje dy pyetje, njërën për Ministren e Punëve të jashtme, Edukim dhe sport të Lihtenshtajnit, Dominique Hasler, njëherësh Presidente e Komitetit te Ministrave të KiE dhe Sekretaren e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, znj. Pejcinoviq.
 
“Siç është theksuar nga shtetet demokratike, se përkushtimi 20 vjeçar i Kosovës ka qenë në linje me vlerat e këtij institucioni dhe me vlerat e shteteve demokratike Evropiane, andaj kur e shihni vendimin e Komitetit të Ministrave për aplikimin e Kosovës për anëtarësim të plotë dhe cili është qëndrimi i juaj për këtë?”, ishte pyetja që  deputetja Ariana Musliu Shoshi i parashtroi znj. Hasler.
 
Në përgjigjën e saj Hasler tha se procedura zyrtare për anëtarësimin në Këshillin e Evropës ka nisur në maj të vitit 2022 dhe se kjo procedurë tashmë është në fazën parlamentare.
 
“Natyrisht, pasi Komiteti të ketë marrë mendimin e Asamblesë, do të vendosë në përputhje me shtetet e Këshillit të Evropës dhe rregullat përkatëse, për të përshtatur më mirë rezolutën, duke e ftuar Kosovën të bëhet anëtare. Ne e dimë mirë natyrën e ndjeshme të çështjes. Në rolin tim si Presidente e Komitetit të Ministrave do të punoj me të gjitha vendet anëtare së bashku për të siguruar një proces të shëndoshë dhe të drejtë në përputhje me rregullat tona”, tha Hasler.
 
Deputetja Musliu Shoshi po ashtu i adresoi një pyetje Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, znj. Pejcinovic, e cila kishte të bënte me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 për të cilin tha që ishte një ngjarje alarmuese jo vetëm për paqen e brishtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë. “Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci sapo ofroi mbështetje unanime për dorëzimin e raportit për këtë sulm terrorist ndaj sovranitetit dhe territorit të Kosovës. A e konsideroni të rëndësishme që Asambleja Parlamentare dhe Këshilli i Evropës të hedhin dritë dhe të ofrojnë transparencë të plotë rreth kësaj ngjarje?”, pyeti ajo.
 
Në përgjigjen e saj Pejcinovi tha se duhet të mbështetet stabiliteti rajonal dhe në gjithë Evropën. “Pra, çfarëdo që mund të bëhet për ta siguruar këtë, mendoj se do të ishte e mirëseardhur, sepse nuk kemi nevojë për më shumë destabilitet dhe më shumë vuajtje për njerëzit”.
 
Deputetja nga Norvegjia, Lise Christoffersen, pyeti po ashtu kryesministrin Rich rreth Kosovës.
 
“Aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës të Kosovës është i rëndësishëm, veçanërisht për popullin e Kosovës, i cili gjithashtu duhet të përfitojë nga gjithçka që Këshilli i Evropës mund të ofrojë për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Nëse në prill miratohet mendimi i Kuvendit tonë, a do të lehtësojë qeveria e Lihtenshtajnit që çështja e anëtarësimit të jetë në rend dite në mbledhjen ministrore të majit?”
 
Në përgjigjen e tij kryeministri Rich tha se siç dihet ka qëndrime të ndryshme për hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës. “Tashmë e kemi shprehur pikën tonë kombëtare dhe jemi shumë të qartë për këtë. Por ne mendojmë se duhet një vendim i përgatitur mirë dhe i mirë nga të gjithë ju për të ecur përpara. Ne do të bëjmë pjesën tonë në presidencë dhe do ta sjellim kur të jetë gati”, theksoi ai.