Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, kryesuar nga kryetari Bekë Berisha, pritën sot në takim anëtarët e Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme, Siguri dhe Mbrojtje nga Republika e Çekisë.
Kryetari i Komisionit, Bekë Berisha, pasi u uroi mirëseardhje anëtarëve të delegacionit çek, i informoi në detaje lidhur me fushëveprimin e Komisionit dhe për gjendjen e sigurinë në Kosovë.
Sa i përket mjedisit të sigurisë në aspektin global dhe rajonal, Berisha vlerësoi se situata vazhdon të jetë e sfiduar dhe e paqëndrueshme, gjë që sipas tij, ngjarjet gjeopolitike globale po kanë ndikim jashtëzakonisht të madh edhe në rajonin tonë.
“Edhe Kosova ka pasur kërcënime dhe sfida, sidomos me veprimet e shtetit serb, të cilat vijojnë të mbeten kërcënim kryesor në Ballkanin Perëndimor. Rasti më i rëndë destabilizues kundër shtetit të Kosovës ka qenë sulmi i datës 24 shtator 2023, kur jemi përballur me një sulm të përmasave të mëdha, me ç’rast ka mbetur i vrarë një zyrtar policer. Por, institucionet e Kosovës kanë treguar profesionalizëm dhe gatishmëri të lartë të intervenimit”, theksoi Berisha, duke shtuar tutje se Kosova është e përkushtuar për vlerat dhe standardet euro-atlantike.
Berisha, si dhe anëtarë tjerë të Komisionit, gjatë diskutimit të tyre me delegacionin çek, theksuan faktin se janë mirënjohës për kontributin e madh të cilin e ka dhënë dhe vazhdon të jap ushtria çeke, në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë.
Anëtarët e Komisionit, Enver Dugolli, Rashit Çalaj, Shqipe Mehmeti – Selimi, Mefail Bajqinovci e Hisen Berisha, gjatë diskutimit të tyre theksuan faktin se Kosova ka nevojë për mbështetje të vazhdueshme nga shteti çek, sidomos në ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes.
Po ashtu, ata kërkuan që shteti çek ta mbështes Kosovën drejt anëtarësimit në NATO.
Me këtë rast, u theksua nevoja e thellimit të bashkëpunimit për të arritur qëllimet e përbashkëta, për një ambient më të sigurt dhe të qëndrueshëm për gjithë rajonin.
Anëtarët e delegacioni çek, gjatë diskutimit të tyre falënderuan deputetët për mikëpritjen e tyre, ndërkaq theksuan rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh.
Pas përfundimit të këtij takimi, kryesuesit e të dyja komisioneve mbajten konferencë për media.
Pjesë e delegacionit çek ishte nënkryetari i Senatit të Parlamentit, Tomas Czernin, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Siguri dhe Mbrojtje, Pavel Fischer, nënkryetarë dhe anëtarë të këtij Komisioni, si dhe ambasadori çek, Bohumil Mazanek.