Kuvendi i Republikës së Kosovës

Delegacioni i Kuvendit në APKiE takoi kryetarin e Grupit Socialdemokrat në AP të KE-së, Frank Schwabe

18.03.2015

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i udhëhequr nga Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit, priti sot në takim kryetarin e Grupit Socialdemokrat gjerman në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Frank Schwabe.

Në takim i diskutua për zhvillimet aktuale në Kosovë, në rajon dhe Evropë, duke u fokusuar në agjendën e Republikës së Kosovës drejt integrimit në BE, sfidat e kësaj agjende dhe nevojën e përkrahjes nga vendet e Bashkimit Evropian.

Nënkryetari Haliti i njohu mysafirët me përparimet që ka bërë Kosova në shumë segmente, por edhe problemet me të cilat ajo përballet.

Në vazhdim, Haliti u angazhua për forcimin e mëtejmë të raporteve ndërshtetërore midis Kosovës dhe Gjermanisë, në mënyrë të veçantë, midis dy parlamenteve.

"Ajo që ka bërë dhe vazhdon të bëjë Gjermania për Kosovën për ne është shumë e çmueshme, jo vetëm tash, por edhe në të kaluarën", theksoi nënkryetari Haliti.

Haliti foli po ashtu edhe për bisedimet me Serbinë dhe përpjekjet e pareshtura të saj për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në institucione dhe mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë.

Kryetari i Grupit Socialdemokrat gjerman, në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Frank Schwabe, nga ana e tij, shprehu interesimin për proceset në Kosovë, në kohën kur vet Evropa po përballet me sfida brenda saj.

Bashkëbiseduesit e u pajtuan që takimet e ngjashme të jenë të rregullta në Asamble.

Nënkryetari Haliti theksoi përkushtimin e delegacionit që ai drejton, që Kosova sa më shpejtë të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.

Nga ana e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në këtë takim morën pjesë edhe nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti dhe deputetët Gani Dreshaj e Sllobodan Petroviq.