Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit

18.03.2015

Vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës (të filluar më 16 prill), kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli (një pjesë u kryesua nga nënkryetari Kujtim Shala), filloi me votimin e propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e gjashtë anëtarëve të Bordit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, si dhe me votimin e Projektligjit për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë mbi transferimin e personave të dënuar. Mirëpo, gjatë procesit të votimit, nuk pati vendimmarrje për shkak të mos pjesëmarrjes së deputetëve në votim. Këto pika mbeten të votohen sërish në vazhdimin e kësaj seance.

 

Deputetët në vijim, formuan Komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e dy anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Ndërkaq, me shumicë votash Kuvendi përkrahu mocionin nga interpelanca, në lidhje me sistemin informativ shëndetësor dhe sigurimet shëndetësore publike dhe private në Republikën e Kosovës, si dhe rekomandimet nga debati parlamentar, në lidhje me skandalin e mishit të prishur të ardhur nga Belgjika, si dhe cilësinë dhe sigurinë e ushqimit në Kosovë.

 

Sa i përket votimit të rekomandimeve nga debati parlamentar, në lidhje me korrupsionin si kriter për liberalizim të vizave, si dhe votimit të rekomandimeve nga debati parlamentar, në lidhje me sigurinë e fëmijëve në përdorimin e internetit në Kosovë, u kërkua që rekomandimet paraprakisht të harmonizohen midis grupeve parlamentare dhe më pas të hidhen në votim gjatë kësaj seance.

 

Tutje, lidhur me çështjen e formimit të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq, pas deklarimit të Avdullah Hotit (LDK) në cilësinë e propozuesit dhe pasi që grupet parlamentare propozuan kryesuesin dhe anëtarët e këtij komisioni, Memli Krasniqi (PDK) kërkoi fillimisht që dy pikat e para të kësaj seance të votohen, duke theksuar se më pas ky grup parlamentar do ta votojë këtë çështje. Këtë e kundërshtuan Glauk Konjufca (VV) dhe Avdullah Hoti (LDK), të cilët deklaruan se kjo po kushtëzohet nga PDK-ja në mënyrë që mos t'i hapet rrugë krijimit të këtij komisioni. Përkitazi me ketë, Hoti propozoi që kjo çështje të hiqet nga rendi i ditës dhe procesi i votimit të kësaj seance.

 

Deputetët, filluan me interpelancën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me reduktimet e ashpra të furnizimit me energji elektrike dhe situatën në sektorin e energjisë.

Me këtë rast, Glauk Konjufca (VV) në cilësinë e propozuesit të interpelancës, paraqiti një sërë vërejtjesh për situatën në sektorin e energjisë dhe të furnizimit me energji. Ai pasi foli lidhur me ndërprerjen me energji elektrike në disa qytete të Kosovës dhe në fshatra, tha se orët e ndërprerjes së rrymës elektrike janë rritur, duke shtuar se vjedhja e energjisë elektrike dhe çështja e mospagesave nuk kanë asnjë përmirësim. Sipas tij, gjashtë vjet pas privatizimit të KEDS-it, çmimi i rrymës është rritur katër herë më shumë deri më tani. Pas deklaroi se vendi ynë ka avantazhin të prodhojë rrymë me çmim të ulët për shkak të burimeve që kemi, ai shtoi se qytetarët e Kosovës po paguajnë shumë shtrenjtë për çmimin e energjisë elektrike dhe se nuk po furnizohet vendi me energji me rregull. Konjufca theksoi se disa nga hidrocentralet e vogla i janë dhënë investitorit privat dhe se nuk ka pasur investime serioze sa i përket rrjetit, ndërsa shtoi se importi po bëhet pa planifikim paraprak, duke përmendur shpenzimin e buxhetit të vendit. Konjufca akuzoi qeverinë e vendit edhe për gjendjen në Shipitullë.

Pas Konjufcës, fjalën e mori kryeministri Ramush Haradinaj. Ai tha se zhvillimet që kanë ndodhur me energjinë dhe të cilat u paraqitën në këtë interpelancë janë me të dhëna të gabueshme, duke sqaruar në vijim se pas formimit të kësaj qeverie, thëngjilli në rezervë ka qenë i harxhuar dhe se ka pasur për tu ndërprerë mihja. Ndërkaq, deklaroi se çmimi i energjisë nuk është rritur deri tani. Sa i përket ndërprerjes së rrymës, Haradinaj sqaroi se ka ndodhur për shkak të investimeve që janë bërë në sektorin e energjisë dhe në rrjetin e shpërndarjes. Ai po ashtu kërkoi që të vlerësohen në mënyrë korrekte veprimet të cilat janë bërë nga kjo qeveri në të mirën e vendit.

Në emër të GP të LDK-së, Hykmete Bajrami tha se nuk ka asnjë biznes në Kosovë që nuk është dëmtuar rëndë nga reduktimet e energjisë elektrike. Bajrami tha se bizneset dhe familjet po vazhdojnë të dëmtohen edhe sot, për shkak të reduktimeve të energjisë elektrike. Ajo bëri të ditur se sipas një studimi që është bërë viteve të fundit nga OEK, në dhjetë barrierat kryesore të të bërit biznes renditet energjia elektrike. Sipas Bjaramit, dëmet vijnë nga reduktimet dhe energjia jo kualitative, tarifat verë-dimër që janë harmonizuar kohëve të fundit nga ZRRE-ja etj.

Në emër të GP të PDK-së, Sala Berisha-Shala shprehu shqetësimet e saj lidhur me reduktimet e energjisë elektrike që ndodhin gjatë kohës së dimrit. Berisha- Shala vlerësoi se me reduktime qytetarët e Kosovës përballen që nga pas lufta. Sipas saj, qytetarët e Drenasit rralle herë kanë pas rryme 24 orë. Ajo theksoi se për një kohë ZRRE-ja ka funksionuar me mungesë të anëtarëve të bordit. Ajo tha se problemi i rrymës në Kosovë nuk mund të zgjidhet nëpërmjet fjalëve.

 

Deputetja Sala Berisha -Shala shtoi se pavarësia e energjisë elektrike do të krijonte pavarësi ekonomike, ndërsa kërkoi që bashkërisht të punohet në funksion të përmirësimit të gjendjes se energjisë elektrike për qytetarët.

 

Nga GP i LVV-së, Albin Kurti pohoi se Kosova nuk ka strategji zhvillimore për energji elektrike. Ai tha se në Kosovë energjia e cila shpenzohet për amvisëri është shumë më e shtrenjtë se ajo industriale. Sipas Kurtit, qeveritë që nga viti 2008 e këtej, kanë qenë të dëmshme për Kosovën, duke privatizuar sektorin e energjisë elektrike. Ai akuzoi institucionet për nënshkrimin e kontratës me një kompani private që se dinë prejardhjen e saj. Kurti vlerësoi se dëmet janë të trefishta: rritja e energjisë elektrike është enorme, falja e tokës dhe se shteti e merr përsipër rrezikun.

 

Kryetari i GDP-së, Dardan Sejdiu, tha se ZRRE-ja është institucion i cili përfiton në krah të qytetarit, duke ja llogaritur matematikat. Sejdiu e vlerësoi të rëndësishme që institucionet duhet të jenë mbrojtjëse të interesit të qytetarëve e jo të një korporatë që merr kredi me 7.5 për qind prej një banke në Turqi.

 

Në emër të GP të AAK, Bekë Berisha, tha se është turp që mungesa e rrymës të jetë ende temë diskutimi. Ai konsideroi se privatizimi është bërë në formën me të dëmshme, duke iu shitur një kompanie turke. Kjo kompani, tha Berisha, është përgjegjëse që qytetarët paguajnë fatura të shtrenjta të rrymës. Në anën tjetër, ai vlerësoi se kryeministri Haradinaj nuk është fajtor për gjithë këto parregullsi që kanë ndodhur në korporatën energjetike, meqë, sipas tij, janë të trashëguara nga qeveritë e mëhershme.

 

Deputeti Zafir Berisha nga GP NISMA, pohoi se reduktimet që kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin në zona të caktuara, kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e ekonomik. Ai bëri të ditur se privatizimi nuk ka arritur asnjë qëllim, por, sipas tij, vetëm e ka dëmtuar edhe më shumë procesin. ZRRE-ja, theksoi Berisha, ka përgjegjësi ndaj qytetareve, lidhur me çmimet e larta të rrymës.

 

Diskutimit të kësaj teme i kanë kontribuar edhe deputetë të tjerë nga të gjitha grupet parlamentare, duke shtruar edhe pyetje dhe kërkuar sqarime nga ana e kryeministrit.

 

Kryeministri Haradinaj, para foltores së Kuvendit, disa herë ka marrë fjalën duke dhënë sqarimet dhe përgjigjet përkatëse në pyetjet dhe çështjet e ngritura nga deputetët.

 

Pas përfundimit të debatit deputeti Glauk Konjufca, në cilësi të propozuesit të interpelancës, paraqiti mocionin para deputetëve, me nëntë rekomandime.

 

Në mungesë të kuorumit, mocioni me rekomandime nuk u votua.

 

Për vazhdimin e seancës do të vendosë Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e radhës.