Kuvendi i Republikës së Kosovës

Vazhdimi i seancës plenare

18.03.2015

Kuvendi i Kosovës vijoi punimet e sotme me pikat e papërfunduara nga Seanca plenare e mbajtur më 16 dhe 23 mars 2018. Mirëpo me fillimin e seancës plenare, për shkak të numrit të kërkesave për deklarime, nga kryepalamentari Veseli ia kaloi fjalën kryetarit të Grupit Parlamentar të LDK-së.

Kryetari i këtij grupi, Avdullah Hoti, në thelb të fjalës së tij, kërkoi dorëheqjen e presidentit për, siç tha ai, tejkalim kompetencash, lidhur me ngjarjen e djeshme -deportimin e gjashtë qytetarëve turq, gylenistë. Qëndrim pothuajse të ngjashëm mbajti edhe Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, të cilin para deputetëve e paraqiti kryetari i këtij grupi, Glauk Konjufca.

Pas kësaj, Sasha Milosavleviq, deputet i grupit parlamentar të Listës serbe, duke kaluar në ngjarje tjetër, ka kërkuar përgjegjësi për ndërhyrjen e Policisë në veri dhe arrestimin e Marko Gjuriqit, pasi, sipas tij, ka pasur rrahje të ministrave, deputetëve e të tjerë.

I menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit të Kuvendit, KadriVeseli, i cili tha: "Është turp të hysh pa leje në Kosovë dhe duhet ta dijë gjithë secili se pa leje nuk do ta lejojmë askënd. Ky është shtet i pavarur dhe sovran dhe kështu do të sillemi deri në fund", tha Veseli.

Memli Krasniqi, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, lidhur me ngjarjen e djeshme theksoi se është mjaft e rëndë për Kosovën dhe për marrëdhëniet me miqtë dhe BE-në. Ai vlerësoi se deputetët janë viktima të informacioneve të mediave dhe nuk ka deklarime të qarta. Duke kërkuar informacione të sakta, ai u shpreh pro vazhdimit të seancës së caktuar.

Po kështu Grupi Parlamentar i Deputetëve të Pavarur, nëpërmjet deputetit Dardan Molliqaj, ishte për vazhdimin e seancësdhe të kalohej në seancë të jashtëzakonshme lidhur me ngjarjen e mbrëmshme.

Kryetari i Grupit Parlamentar i AAK-së, Ahmet Isufi, kërkoi zbatimin e rregullores për vijimin e seancës, ndërsa Bilall Sherifi, në emër të Grupit Parlamentar të NISMA-s, kërkoi vlerësimin e drejtë të kësaj situate të rëndë dhe marrjen e përgjegjësisë, pasi që, sipas tj, nuk ka pasur procedura të zbatuara, por rrëmbim.

Në përfundim të deklarimeve të grupeve parlamentare, fjalën e mori kryeministri i Kosovës Haradinaj, i cili ndër të tjera shpjegoi se ky ka qenë një operacion i përbashkët me Turqinë. Ai tha se në plan të parë kanë qenë procedura të rregullta, por, sipas tij, ka edhe shkelje të procedurave të tjera. Duke parë shkelje të procedurave, ai tha se ka liruar nga detyra ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e AKI-së.

Më pas, kryeparlamentariVeseli mori fjalën dhe u deklarua lidhur me pozicionimin e tij për këtë ngjarjeje.

"Nuk kam pasur asnjë informatë rreth arrestimit dhe depërtimit të gjashtë shtetasve turq në Turqi. Kam kërkuar përgjigje nga secili institucion. Kemi bërë gabim të madh duke deportuar njerëz që nuk dimë se si do të trajtohen", theksoi Veseli, duke u kërkuar falje familjarëve për atë që ka ndodhur.

Pas votimit të kërkesës për vijimin e seancës, kryetari i Kuvendit filloi menjëherë me procesin e votimit të rekomandimeve të paraqitura nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë interpelancës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, lidhur me vdekjen e dhunshme të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari. Kuvendi nuk i miratoi këto rekomandime.
Më tej, Kuvendi miratoi në parim Projekt-Rregulloren e Kuvendit dhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për Projektin e Autostradës Kijevë-Zahaq.

Kuvendi nuk miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës ("MASHT") dhe StitchingSpark-ut të Holandës ("SPARK") mbi mbështetjen e Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit Mitrovica, dhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Themelimin e Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA).

Seanca vijoi punën me shqyrtimin në lexim të dytë të pesë (5) projektligjeve dhe miratoi: Projektligjin nr. 06/L-004 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, Projektligjin nr. 06/L-013 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-072 për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-214, Projektligjin nr. 06/L-014 për infrastrukturën kritike, Projektligjin nr. 06/L-015 mbi masat doganore për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale, Projektligjin nr. 06/L-023 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-115 dhe me Ligjin nr.05/L-080.

Gjithashtu u miratua edhe Raporti i performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2015 dhe 2016.

Në përfundim të kësaj seance, Kuvendi emëroi edhe dy anëtarë të Komisionit për verifikim dhe vendosje të pronave: Shpëtim Sadiku dhe Avdullah Aliu, ndërsa anëtare të Komisionit për kërkesa pronësore emëroi Lule Bilalli Imerin.