Kuvendi i Republikës së Kosovës

Deputeti Pajaziti merr pjesë në takimin e Komisionit të Përhershëm Qendror të SEECP-së

18.03.2015

Kuvendi i Republikës së Kosovës u përfaqësua në takimin e Komisionit të Përhershëm Qendror të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (PBEJL/SEECP), i cili u mbajt në Bled të Sllovenisë.

Takimi kishte për qëllim përgatitjen e dokumenteve për seancën plenare të AP të SEECP-së (draft tekstin e deklaratës së përbashkët dhe agjendën e sesionit plenar), që do të mbahet në prill të këtij viti në Ljubljanë, në të cilën do të marrin pjesë edhe kryetarët e parlamenteve nga të gjitha vendet anëtare pjesëmarrëse në AP të SEECP-së.

Në këtë takim delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës u përfaqësua nga deputeti Zenun Pajaziti, anëtar i delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit për Evropën Juglindore.

Gjatë hartimit të tekstit të Draft Deklaratës dhe votimit të amandamenteve, deputeti Zenun Pajaziti arriti të pengojë votimin e disa amendameteve të propozuara nga Bukureshti dhe të mbeshtetura nga Beogradi.

Deputetët përfaqësues gjithashtu diskutuan për stagnimin e vendimit në selinë e Sekretariatit të AP të SEECP-së dhe kërkuan mënyra për të dalë nga kjo situatë, si dhe mësuan për Platformën e Qeverisjes SEEDIG - Evropa digjitale, si një nga prioritetet e Presidencës sllovene të PBEJL/SEECP.

Takimi u kryesua nga deputeti i Asamblesë Kombëtare të Paralamentit të Sllovenisë, njëherësh kryetar i Komisionit të Përhershëm Qendror në AP të SEECP, Branko Zorman.

Nga 1 korriku 2017 deri më 30 qershor 2018, Sllovenia mban Presidencën e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.

Asambleja Parlamentare e SEECP ka një rol të rëndësishëm pasi është një organizatë, ambicia e të cilës është të bëhet organizatë udhëheqëse parlamentare në rajonin e Evropës Juglindore.