Kuvendi i Republikës së Kosovës

Seanca plenare

18.03.2015

Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, të cilën e kryesoi kryeparlamentari, Kadri Veseli, filloi me pikën e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës.

Me këtë rast, deputetët ngritën një varg çështjesh dhe shqetësimesh. Për shkak të numrit të madh të kërkesave për tu deklaruar, kryesuesi i seancës lejoi të shtyhej koha për këtë pikë. Pas kësaj, seanca vijoi punimet nën drejtimin e nënkryetarit Haliti.

Në vijim të pikës, pyetje parlamentare, kryeministri Ramush Haradinaj dhe Skënder Reçica, Shyqeri Bytyçi dhe Uran Ismajli, iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve.

Pas pauzës, Kuvendi vijoi punimet me pikën e tretë, interpelancën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupi Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me vdekjen e dhunshme të aktivistit kësaj lëvizjeje, Astrit Dehari.

Pas përcaktimit të kohës, sipas rregullores për secilin grup parlamentar, drejtuesi i seancës Haliti ia kaloi fjalën deputetit, Albin Kurti, i cili e mori fjalën në emër të grupit parlamentar të VV-së. Pas një rezymeje të problematikës së ngjarjes, deputeti Kurti ka propozuar edhe një rezolutë për ta miratuar pas përfundimit të interpelancës, nëpërmjet të cilës kërkohej hetim i pavarur ndërkombëtar dhe bashkëpunim pa pengesa nga institucionet ligjzbatuese të institucioneve të Kosovës, shkarkim i menjëhershëm brenda PK-së, si dhe shkarkim i ministres Dhurata Hoxha.

Më pas fjalën e mori kryeministri Haradinaj, i cili midis të tjerave theksoi:

"Është vërtet një ngjarje e rëndë e cila duhet trajtuar në përmasën e vet dhe natyrisht familja ka të drejtën e vet edhe për të dyshuar dhe të kërkojë rihetim. Qeveria i ka marrë përsipër shpenzimet e rihetimit".

Me gjithë respektin për viktimën dhe familjen e të ndjerit për kërkimin e të vërtetës, shtoi ndër të tjera Haradinaj, "duhet të jemi pak të kujdesshëm që të mos ndërhyjmë në kompetencat e institucionit me deklarata të ndryshme politike".

Përfaqësuesit e grupeve parlamentare, LDK, PDK, AAK dhe Nisma, theksuan se duhet të lihet në dorë të organeve të drejtësisë për tu marrë me këtë çështje, sidomos tani kur çështja ka marrë rrugë për hetim ndërkombëtar.
Deputeti Visar Ymeri, në emër të Grupit të Deputetëve të Pavarur, ishte pak a shumë në të njëjtën linjë me qëndrimin e deputetit Kurti. Pas kësaj fjalën e morën me radhë deputetë të ndryshëm.

Pas rikthimit në seancë, fjalën e mori edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili tha se institucionet e Kosovës do bëjnë çdo përpjekje që ta vendosin drejtësinë në këtë rast, ashtu siç kërkon familja edhe me hetim ndërkombëtar. Ai tha se qytetarët dhe çdo familje ka të drejtë dhe dëshiron të dijë të vërtetën.

"Qytetarët e duan të vërtetën, a ka ndodhë e çka ka ndodhë, a ka dorë shteti këtu a po ka diçka që mundet me qenë përgjegjësi politike. Kryesore është të vijmë tek e vërteta", theksoi kryeparlamentari Veseli.

Shteti, shtoi më tej kreu i Kuvendit, ka pranuar sfidat ndaj rastit të Astrit Deharit dhe çdo iniciative do t'i shkohet deri në fund.

Para deputetëve doli serish kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe ministrat Abelard Tahiri e Dhurata Hoxha.

Në përfundim të kohës dhe fjalës së deputetëve, drejtuesi i seancës, kryetari Veseli, sipas rregullores ia kaloi fjalën kërkuesit të kësaj interpelance, Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Deputeti Albin Kurti, i cili edhe njëherë kërkoi votimin e rezolutës së kërkuar nga GP i VV-së.

Përkundër përsëritjes së procesit të votimit, Kuvendi nuk kishte kuorum për vendimmarrje. Kryetari Veseli ndërpreu seancën, e cila do të vijojë më 21 mars.