Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme...

18.03.2015

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, mbajti sot mbledhjen e rregullt, të udhëhequr nga Vjosa Osmani, kryetare, në të cilën ishte e ftuar ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, për të raportuar lidhur me procesin e liberalizimit të vizave.

 

Kryetarja Osmani tha se është me interes të dihen qëndrimet e shteteve të Bashkimit Evropian lidhur me këtë proces, por edhe qëndrimi i Qeverisë së Kosovës kundruall kërkesave të Bashkimit Evropian.

 

Ministrja Hoxha, para anëtarëve të komisionit tha se në zvarritjen e liberalizimit të vizave ka ndikuar edhe procesi zgjedhor i mbajtur në Parlamentin Evropian.

 

Ajo po ashtu përmendi edhe vendet të cilat janë më skeptike lidhur me lëvizjen e lirë të kosovarëve.

 

"Franca, Belgjika dhe Holanda kanë dilema për liberalizimin e vizave. Brengë e Francës mbetet migrimi i qytetarëve të Kosovës", shtoi ministrja Hoxha.

 

Kurse, anëtarët e komisionit më së shumti rëndësi i dhanë çështjes së interferimit politik në liberalizmin e vizave, si dhe nivelit të përmbushjes nga ana e Qeverisë së Kosovës të kritereve të caktuara nga Komisioni Evropian, për të arritur deri të lëvizja pa viza e qytetarëve të Kosovës.