Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

18.03.2015

Sot, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, mbajti mbledhjen e radhës kryesuar nga Sala Berisha-Shala, kryetare, në të cilën, për të raportuar lidhur me çështjen e monopolit të homologimit të veturave, ishte i ftuar ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Gjatë paraqitjes së tij në komisionit, ministri Lekaj tha se udhëzimi administrativ i nxjerrë nga ministria që ai udhëheq, është i bazuar në Ligjin për automjete dhe nuk përbën ndonjë shkelje.

"Ne jemi munduar që të mos kemi monopol. Nuk jam unë fajtor e as Ministria e Infrastrukturës, por fajtor është ligji, theksoi Lekaj.

Sipas ministrit, monopoli vjen si pasojë e paragrafit 1, ku thuhet se i lëshohet licenca me afat të pakufizuar operatorit, nëse ai vazhdimisht i plotëson kushtet.

Në anën tjetër, anëtarët e komisionit theksuan se Ligji për automjete në asnjë dispozitë nuk i garanton asnjë operatori të ketë monopol. Ata gjithashtu kërkuan nga ministri Lekaj të shpjegojë se pse deri më tani nuk është bërë asnjë përpjekje nga ai që të zhvillojë treg të lirë dhe konkurrencë në këtë fushë.

Pas një diskutimi të gjerë, deputetët erdhën në përfundim se këtë çështje duhet ta diskutojnë edhe në seancë plenare, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje sa i përket interpretimit të Ligjit të automjeteve.