Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...

18.03.2015

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Inovacion dhe Ndërmarrësi, kryesuar nga Ismajl Kurteshi, kryetar, për të raportuar lidhur me tekstet e reja shkollore, të ftuar kishte ministri Arsimit, Shyqyri Bytyqi.

Kryetari komisionit tregoi rreth procesit të recensimit të teksteve shkollore, duke shtuar se komisioni ka nxjerrë disa konstatime të përgjithësuara, të mbledhura këto nga mjetet e informimit dhe takimet individuale, si: evidentimi i gabimeve përmbajtësore, didaktike dhe teknike, po ashtu janë evidentuar edhe pasaktësi shkencore, përzierje konceptesh etj.

Për t'iu përgjigjur këtyre konstatimeve dhe për të diskutuar më shumë rreth këtij procesi, kryetari kaloi fjalën tek ministri Bytyqi. Sa i përket procesit të recensimit të teksteve shkollore, ministri theksoi se MASHT ka vepruar në përputhje me të gjitha aktet e tjera ligjore për përzgjedhjen e recensentëve dhe shpalljen e fituesve të shtëpive botuese.

"Konkursi ka qenë i hapur për të dy palët dhe në asnjë formë nuk ka pasur mundësi për interferime nga jashtë. Këtë e dëshmon edhe kodimi i recensentëve", theksoi ministri Bytyqi.

Ndërsa, sa i përket pikës së dytë të diskutimit, për riorganizimin e shkollave në Komunën e Dardanës, kryetari Kurteshi theksoi që jo vetëm Komuna e Dardanës ballafaqohet me zvogëlim të numrit të nxënësve nëpër shkolla, por, sipas tij, gjendje e tillë ekziston pothuajse të gjitha komunat e Kosovës, sidomos në viset rurale.

Prandaj, komisioni theksoi nevojën e organizimit nga ana e Ministrisë së Arsimit të një hulumtimi në nivel kombëtar për riorganizimin e shkollave, për të të dalë më pas me një udhërrëfyes për të gjitha komunat.

Në mbledhje u theksua se më hollësisht rreth problemeve dhe sfidave në arsim, do të diskutohet të enjten në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.