Kuvendi i Republikës së Kosovës

Fjalimi i kryekuvendarit Glauk Konjufca, në seancën e veçantë të Kuvendit, të mbajtur për nder të vizitës së ministrit të Jashtëm dhe për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Italisë, Liugi Di Maio

22.06.2021

I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, Albin Kurti,
Të dashur deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
 
Më lejoni që t’i shpreh mirëseardhje në shtetin e Kosovës e në Kuvendin tonë të Republikës, Ministrit të Jashtëm dhe për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Italisë, Shkëlqesisë së Tij, Liugi Di Maios,
I dashuri Luigji mirë se na erdhe!
 
Të nderuar ambasadorë të vendeve mike të shtetit tonë,
I nderuari ambasador Orlando,
Ambasadore Haxhitasimi,
I nderuari gjeneral Federiçi.
Qytetarë të dashur,
 
Vendi ynë ka qenë dhe mbetet shumë mirënjohës për kontributin që Republika e Italisë e ka dhënë për Republikën e Kosovës.
 
Në 24 mars të vitit 1999 një qytezë e vogël italiane e me pak banorë, në Kosovë u bë më e njohur se Roma e Milano.
 
Kjo ishte Aviano prej ku filluan bombardimet e NATO-s kudër makinerisë ushtarake e policore të Serbisë.
 
Këto bombardime të domosdoshme u bënë nga aleanca më e fuqishme ushtarake e botës demokratike për t’i dhënë fund gjenocidit të shtetit serb mbi popullin e Kosovës.
 
Italia u bë vendi i parë prej të cilit u ngrit forca ajrore për shpëtimin e popullit tonë.
 
Lufta jonë e drejtë e UÇK-së e gjeti mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe falë këtij ndërveprimi erdhi liria e popullit tonë.
 
Menjëherë pas përfundimit të luftës, Italia kishte rol të rëndësishëm në të gjitha proceset e kyçe nëpër të cilat kaloi vendi ynë.
 
Pjesëmarrja e trupave italiane në kuadër të KFOR-it për ne ka qenë dhe mbetet faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit të Republikës së Kosovës dhe rajonit në përgjithësi.
 
Republika e Italisë gjatë këtyre 22 viteve ka pasur rol qendror në udhëheqjen e komandës së KFOR-it në Kosovë përmes 11 komandantëve të saj.
 
Në mesin e shteteve të para që e njohu pavarësinë e Republikës sonë ishte Republika e Italisë.
 
Dhe në çdo hap të pastajmë përgjatë procesit të konsolidimit të sovranitetit tonë, shteti italian qëndroi përkrah Kosovës.
 
Populli i Kosovës qëndron mirënjohës edhe për qëndrimin e Italisë në GjND më 2010, edhe për mbështetjen e vazhdueshme të perspektivës evropiane të Kosovës, edhe për mbështetjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
 
Por viti 2020 që e lamë pas ishte një vit fort i vështirë.
 
Mbi 3800 qytetarë të Kosovës dhe 127 mijë italianë e humbën jetën në luftë me pandeminë e koronavirusit.
 
I shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për të gjitha familjet që i humbën të dashurit e tyre.
 
Por po ashtu e falënderojmë Republikën e Italisë për të gjitha ndihmat që ia dha vendit tonë në ballafaqim me virusin COVID 19.
 
Vetëm të bashkuar e me një qëllim të përbashkët mund ta mposhtim çdo sfidë që i cenon edhe vendet tona, por edhe globin në përgjithësi.
 
Marrëdhëniet tona me Republikën e Italisë janë miqësore e të ngushta.
 
Por ne zotohemi që bashkëpunimin do ta thellojmë edhe më tej. E vizita e ministrit Di Maio përbën moment qenësor në këtë drejtim.
 
Ju faleminderit për vëmendje!