Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal

29.03.2024

Sot Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, kryesuar nga Valon Ramadani, kryetar, shqyrtoi Projektligjin nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-197 për zyrtarët publikë. 

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, e paraqiti dhe prezantoi këtë projektligj, duke shpalosur ndryshimet e propozuara në të, të drejtuara kryesisht tek nëpunësit civilë, të drejtat e tyre, detyrat, avancimin në pozita pune dhe mandatet që kanë. E tëra kjo, sipas tij, për të krijuar një administratë gjithëpërfshirëse, proporcionale dhe që përfaqëson kërkesat e qytetarëve.

Anëtarët e komisionit parashtruan një sërë pyetjesh që adresonin mandatet dhe lëvizshmërinë e pozitave sipas projektligjit, duke dhënë kritikat në propozim-ndryshime dhe rekomandimet e tyre në të mirë të administratës publike. Po ashtu, me theks të veçantë u kërkua sqarim se pse projektligji bie ndesh me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe argumentimin mbi ndryshimet e propozuara.

Duke përmendur se ka pasur konsultime publike për projektligjin, zëvendësministri Dobra potencoi se aktvendimi i gjykatës kushtetuese lidhet me krijimin e pozitave proporcionale dhe se qeveria e ka ndjekur këtë aktvendim. Ndërsa sa i përket ushtruesve të detyrës, zëvendësministri Dobra tha se konkurset e rregullta po zgjasin për disa arsye dhe se zgjidhja e ushtruesve të detyrës është ndonjëherë më praktike. 

Pas shterimit të debatit, me shumicë votash u miratua projektligji në parim dhe si i tillë i adresohet Kuvendit për shqyrtim të mëtutjeshëm.

Tutje, anëtarët e komisionit shqyrtuan rekomandimet e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere dhe Komisionit për Mbikëqyrjen e financave publike lidhur me Raportin vjetor të KPM-së, për vitin 2022. 

Me të hedhur në votim, me shumicë votash u miratua Raporti Vjetor i KPM-së.