Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryetari Konjufca në Bashkësinë Islame, uron besimtarët islamë për Fitër Bajramin

10.04.2024

Me rastin e Festës së Fitër Bajramit, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, shoqëruar nga shefi i Kabinetit, Ilir Kërçeli, vizitoi sot Bashkësinë Islame të Kosovës, ku u prit nga myftiu Naim Tërnava me bashkëpunëtorë. 

Duke uruar myfiun Tërnava, Kryesinë e Bashkësisë Islame, qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të gjithë besimtarët islamë për Festën e Fitër Bajramit, Kryetari Konjufca tha se kjo festë e rëndësishme përmban mesazhin e qartë dhe shumë të sinqertë për fisnikërimin e shpirtit, si një formë e falënderimit ndaj krijuesit përmes agjërimit dhe sakrificës, e cila na shtyn në dritën e solidaritetit për të krijuar një shoqëri më të drejtë e më të barabartë. 

“Nëpërmjet kësaj sakrifice dhe këtij solidariteti ne afrohemi më tepër me njëri-tjetrin, me familjet tona, rrisim harmoninë brenda familjeve tona dhe shoqërisë e popullit tonë”, theksoi kryetari Konjufca. 

Kreu i Kuvendit falëndëroi myftiun Naim Tërnava për aktivitetet që zhvillon në vazhdimësi Bashkësia Islame e Kosovës, ndërsa vlerësoi aktivitetin bamirës të shoqatës “Bereqeti”, duke u ndihmuar mijëra familjeve të Kosovës që të kenë ushqimin e nevojshëm e gjithashtu, ku është nevoja, edhe strehimin, por edhe për shumë aktivitete të tjera bamirëse, të cilat, siç tha kryetari Konjufca, janë të rrënjëzuara dhe burimin e kanë në mesazhin e shenjtë të fesë islame.