Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

22.10.2020

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

 

 

Komisioni për Integrime Evropiane, kryesuar nga Ismet Beqiri, kryetar, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën raportoi Meliza Haradinaj – Stublla, ministre e Ministrisë së Punëve të Jashtme. 

 

Në fillim të takimit, kryetari i komisionit Beqiri, pasi falënderoi ministren për gatishmërinë e saj që të raportojë, si dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të ministrisë me komisionin, bëri të ditur se takimi i sotëm është në kuadër të fushë veprimtarisë dhe planit të punës së komisionit. 

 

Ministrja  Haradinaj – Stublla, ndërkaq, para anëtarëve të komisionit paraqiti të arriturat dhe sfidat e ministrisë, duke vënë në pah se ndër angazhimet primare vazhdon të mbetet liberalizimi i vizave.

 

Lidhur me këtë, ajo bëri të ditur se shumica e shteteve të  BE-së e vlerësojnë përmbushjen e kritereve të vendosura nga ana e tyre, të cilat kanë të bëjë me këtë çështje, por tha ajo, skeptikë në këtë drejtim vazhdojnë të mbesin shteti i Holandës dhe ai Francës.

 

Në vijim të raportimit të saj, ministrja foli edhe për angazhimet dhe qasjen  konkrete ndaj shteteve që ende hezitojnë të mbështesin liberalizimin e vizave. 

 

Për sa i përket integrimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë dhe në BE, ministrja tha se shumica e vendeve anëtare e përkrahin integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në BE dhe në tërë mekanizmat e saj.

 

Ajo foli edhe për marrëveshjen e nënshkruar në Uashington, të cilën e vlerësoi si shumë të rëndësishme, ndërkaq, me theks të veçantë foli edhe për  rëndësinë e njohjes së shtetësisë së Kosovës nga Izraeli. Me këtë rast, ministrja Haradinaj-Stublla, para anëtarëve të komisionit bëri të ditur se në një të ardhme të afërt do të realizohet një vizitë zyrtare në Izrael, ndërkaq, tha ajo, pas nënshkrimit të marrëveshjes në Uashington, ka pasur zhvillime të përditshme në trekëndëshin SHBA, Izrael dhe Kosovë. 

 

Pas kësaj anëtarët e komisionit ngritën një varg çështjesh dhe shtruan pyetje të shumta, e që kishin të bënin me procesin e integrimeve, për të cilat morën përgjigje nga ministrja.  

 

Në fund të kësaj mbledhjeje, komisioni përkrahu edhe Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2020-2024, si dhe Planin e punës së Komisionit për vitin 2020. ​