Komisioni për Integrime Evropiane, i kryesuar nga Armend Zemaj, kryetar i komisionit, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën diskutoi lidhur me përmbushjen e obligimeve të Kosovës, në procesin e liberalizimit të vizave.
Lidhur me këtë, komisioni konstatoi se Kosova i ka përmbushur kriteret teknike të vendosura nga ana e BE-së, e që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave. Ndërkaq, ndër shkaqet e mos përmbushjes së këtij qëllimi, u vlerësua se është mosdakordimi i disa shteteve në kuadër të BE-së, të cilat, kanë perceptim negativ se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm në luftimin e korrupsionit.
Gjatë debatit, anëtarët e komisionit u pajtuan që çështja e liberalizimit të vizave, të jetë një ndër angazhimet kryesore në punën e tyre.
Në këtë mbledhje, ndonëse ishte paraparë që të diskutohet edhe për financimin e Kosovës nga BE-ja në luftimin e COVID-19, kjo çështje, në mungesë të raportit nga ana e Ministrisë së Integrimit Evropian u shty për një nga mbledhjet e radhës.