Kuvendi i Republikës së Kosovës

Seanca plenare e Kuvendit

02.12.2024
Sot, në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga nënkryetarja Saranda Bogujevci, u shqyrtua Projekt-Rezoluta për katër vjet qeverisje, të cilën e arsyetoi kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri. 
 
Duke e cilësuar qeverisjen aktuale si një listë dëshirash dhe pa realizime konkrete, Tahiri foli, siç tha ai, për një sërë skandalesh që, sipas tij, karakterizojnë këtë qeverisje. Ai përmendi disa mangësi në realizimin e premtimeve qeveritare, si blerja e energjisë, falja e borxhit të ujit, problemet në RTK, sanksionet e Bashkimit Evropian, si dhe, siç potencoi, dështimin e realizimit të projekteve për ndihmën sociale dhe zhvillimin e infrastrukturës, duke përfshirë mungesën e çerdheve dhe sigurimit shëndetësor, sigurimin e banesave për qiftet e reja etj.  
 
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij potencoi arritjet e shumta të qeverisë në këtë periudhë, duke i përmendur kronologjikisht ato. Ai tha se qeveria ka bërë ndryshime të rëndësishme që kanë prekur drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe kanë krijuar mundësi për një të ardhme më të mirë për të gjithë. 
 
Kryeministri i vendit përmendi disa nga arritjet kryesore të ekonomisë, duke përfshirë rritjen prej 6.36% të Produktit të Brendshëm Vendor, uljen e borxhit publik dhe papunësisë, si dhe një rritje të punësimit me 80,000 qytetarë të tjerë. Ai gjithashtu theksoi rritjen e shpenzimeve kapitale, krijimin e mundësive për punësimin e grave, rritjen e pagës minimale në 350 euro dhe zhvillimin e sektorit privat. 
 
“Shpenzimet kapitale janë rritur krahasuar me vitin paraprak, ndërsa 14,000 të rinj janë punësuar përmes platformës Superpuna”, tha ndër të tjera kryeministri Kurti.
 
Kreu i qeverisë përmendi gjithashtu vlerësimet pozitive ndërkombëtare dhe rritjen e buxhetit për vitin e ardhshëm, i cili do të jetë 50% më i lartë se ai i vitit 2021. Ai theksoi se ekonomia e Kosovës është trefishuar që nga shpallja e pavarësisë dhe se përparimi ka shkuar paralel me rritjen e lirisë dhe të drejtave të qytetarëve. Megjithatë, ai nënvizoi se ende mbetet sfida e aktivizimit më të madh të grave në punë.
 
Në lidhje me sigurinë, kryeministri Albin Kurti paraqiti arritjet e mëdha në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe drogës, duke përmendur shkatërrimin e 124 grupeve kriminale dhe konfiskimin e mbi 4.5 tonëve substancash narkotike. Ai gjithashtu njoftoi mbylljen e gjashtë filialeve të Bankës Postare të Kursimeve të Serbisë, mbylljen e bankës popullore të Serbisë dega në Kosovë dhe mbylljen e drejtorisë së thesarit në Leposaviq. Po ashtu, kryeministri theksoi zhvillimin e infrastrukturës në veri të Kosovës, përfshirë shtrimin e rrugëve dhe modernizimin e sistemit të telekomunikimeve.
 
Për sa i përket politikës së jashtme, Kurti theksoi avancimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë avancimin e statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Po ashtu, ai njoftoi progresin e arritur në fushat sociale, kulturore dhe ekonomike, si dhe nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë avancuar integrimin e Kosovës në strukturat ndërkombëtare.
 
“Më shumë liri, më shumë ekonomi, më shumë të drejta. Demokracia dhe ekonomia shkojnë bashkë“, tha kryeministri Kurti.
 
Në ekspozenë e tij kryeministri theksoi rëndësinë e reformave në drejtësi, energji, bujqësi, shëndetësi, arsim dhe infrastrukturë, duke e quajtur këtë periudhë një histori të suksesit dhe një hap përpara në zhvillimin e vendit.
 
Sipas kryeministrit Albin Kurti është trefishuar buxheti i ushtrisë, është dyfishuar numri i ushtarëve të rekrutuar dhe është katërfishuar numri i ushtarëve të trajnuar jashtë vendit. Po ashtu, i pari i qeverisë përmendi shumëfishimin e investimeve në blerjen e armatimit, ku janë investuar 239 milionë euro dhe përurimin e qendrës shtetërore për sigurinë kibernetike.
 
Deputeti Adnan Rrustemi, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), dënoi ashpër sulmin e fundit në veri të Kosovës dhe theksoi angazhimin e qeverisë për forcimin e sovranitetit në çdo cep të vendit gjatë mandatit të VV-së. Ai tha se nëpërmjet veprimeve të qeverisë janë mbyllur rrugët ilegale në veri, ndërsa bankat dhe postat serbe nuk janë më të pranishme në territorin e Kosovës. Po ashtu deputeti Rrustemi përmendi se dinari serb është ndaluar dhe targat e Kosovës kanë zëvendësuar ato serbe. Rrustemi theksoi se shtëpitë janë në proces rindërtimi dhe flamuri dhe simbolet shtetërore janë vendosur në institucionet komunale, duke forcuar kështu identitetin dhe autoritetin e Kosovës.
 
Ai vazhdoi të përmend arritjet e qeverisë në të gjitha fushat, duke u fokusuar në përpjekjet e vazhdueshme për përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët dhe zhvillimin e vendit. Sipas Rrustemit, opozita ka penguar çdo politikë që ka qenë në interes të qytetarëve dhe që ka përputhur me interesat e vendit, duke e vënë theksin te interesat personale. Ai akuzoi opozitën për fabrikimin e materialeve që, sipas tij, fshehin skandalet e tyre.
 
Rrustemi e përfundoi fjalimin e tij duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka punuar për një shoqëri më të fortë dhe një të ardhme më të ndritur, duke qëndruar ballëhapur dhe me krenari para qytetarëve, ashtu siç nuk ka ndodhur me asnjë qeveri tjetër më parë.
 
Deputeti Abelard Tahiri, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) theksoi se fenomeni më i dëmshëm për Republikën e Kosovës gjatë periudhës së qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë emigrimi masiv i qytetarëve, duke shkaktuar një zbrazje të vendit. Ai theksoi se sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë, shumë shtëpi kanë mbetur të pabanuara për shkak të largimit të qytetarëve, ndërsa përmendi edhe rreth 600 mjekë dhe shumë infermierë që sipas tij, e kanë lënë Kosovën. Sipas Tahirit, arsyet kryesore të largimit lidhen me problemet ekonomike, referuar rezultateve të anketimeve të kryera.
 
Deputeti Tahiri u shpreh kritik edhe sa i përket bashkëpunimit me SHBA-të, një situatë që, sipas tij, ka ndikuar në mosarritjen e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare të rëndësishme për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Ai theksoi se përparimi në diplomaci dhe fuqizimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare është i pamundur pa mbështetje dhe angazhim të fuqishëm me partnerët kryesorë, veçanërisht me SHBA-të. Ai theksoi se Kryeministri i Kosovës është përgjegjës për diplomacinë, njohjet ndërkombëtare dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. 
 
Deputeti Arben Gashi, në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kritikoi qeverisjen aktuale, duke theksuar se shumë nga premtimet, veçanërisht ato për privatizimin dhe reformën ekonomike, kanë dështuar. Sipas tij, privatizimi nuk është ndalur siç ishte premtuar, ndërsa disa projekte kyçe, si krijimi i Bankës Qendrore, skema e punësimit për të rinjtë dhe rivilatizimi i Trepçës e i sistemit të minierave, kanë dështuar. 
 
Gashi foli gjithashtu, për, siç i cilësoi ai, dështime në infrastrukturë, përfshirë projektet e rrugëve, kanalizimeve dhe Aeroportit të Gjakovës, si dhe për mungesën e përmirësimeve në kushte pune dhe bashkëpunim me sindikatat. Gashi kritikoi qeverinë për mosrealizimin e premtimeve në arsim, shëndetësi dhe drejtësi, si dhe për shkeljet kushtetuese dhe mungesën e njohjeve dhe anëtarësimeve ndërkombëtare.
 
Sipas Gashit, kryeministri Kurti ka dështuar në menaxhimin e qeverisë, duke e cilësuar qeverisjen e tij si të paaftë dhe të korruptuar. Ai gjithashtu theksoi disa afera dhe raste të nepotizmit që sipas tij e kanë shoqëruar këtë qeveri, në fushat e rëndësishme.
 
Deputetja Time Kadriaj, në emër të Grupit Parlamentar të Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), theksoi përgjegjësinë e qeverisë për të punuar në të gjitha sektorët e jo vetëm në ato që kryeministri ka potencuar. Ajo u ndal te politika e jashtme, duke theksuar se kryeministri kishte premtuar që nuk do të kishte dialog me Serbinë pa gjetur të pagjeturit dhe pa kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë, por këto premtime, sipas saj, nuk janë realizuar. Po ashtu ajo theksoi se Kosova nuk ka arritur të pranohet në Këshillin e Evropës dhe ka falur tokat e Manastirit të Deçanit, duke përmendur këto si shembuj të dështimeve të qeverisë aktuale.
 
Seanca plenare vazhdoi me diskutime të shumta nga deputetët, të cilët paraqitën qëndrimet e tyre lidhur me punën e qeverisë gjatë këtij mandati. Deputetët, në varësi të përcaktimeve politike, në pozitë apo në opozitë, vlerësuan lart qeverisjen aktuale, përkatësisht, e akuzuan atë për dështime. 
 
Duke ripotencuar të arriturat e Qeverisë, kryeministri Kurti forcoi qëndrimin e tij lidhur me të arriturat e qeverisë që drejton dhe përmendi radhazi sukseset që sipas tij e shënojnë qeverisjen katërvjeçare.
 
Anëtarë të kabinetit qeveritar, nga ana e tyre, paraqitën punën e tyre sektoriale të realizuar gjatë mandatit dhe në aspekte krahasuese me mandatet e kaluara, të cilat u shoqëruan me diskutime të deputetëve, replika dhe kundër-replika. 
 
Ata gjithashtu u përgjigjën në pyetjet dhe shqetësimet e ngritura nga deputetët, duke dhënë përgjigje dhe sqarime mbi politikat e zbatuara gjatë qeverisjes 4-vjeçare. 
 
Në përmbyllje të seancës, iniciuesi i saj, deputeti Besnik Tahiri tha se gjatë kësaj seance u është bërë një mbrojtje e paprecedentë aferave qeveritare dhe se po ashtu, sipas tij, pati një sulm të paprecedentë ndaj sistemit të drejtësisë. Ai shtoi se kishte ikje të ballafaqimit për secilën temë që u ngrit në debat. 
 
Në mungesë të kuorumit kryesuesja Bogujevci tha se projektrezoluta nuk mund të hidhet në votim dhe për rrjedhojë votimi i saj do të bëhet në një nga seancat e radhës.