Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim

03.10.2023

Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, udhëhequr nga kryetarja Fitore Pacolli-Dalipi, mbajti mbledhjen e radhës, në të cilën i ftuar për raportim ishte ministri për Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, Liburn Aliu. 

Gjatë kësaj mbledhjeje në mungesë kuorumi nuk pati vendimmarrje lidhur me raportin e punës për sesionin pranveror 2023, si dhe planin e punës për sesionin vjeshtor 2023.

Në vazhdim të mbledhjes, raportoi ministri i MMPHI-së, Aliu i cili theksoi se ministria që drejton ai, është duke vazhduar punën në projektet që kanë qenë në procedurë, por që sipas tij kanë nisur edhe disa projekte të reja. Ministri Aliu, tha se prioritet kryesor i kësaj ministrie është çështja e mjedisit. Përkitazi me këtë ai tha se në këtë fushë është punuar më disa projekte dhe udhëzime administrative të cilat do të kenë  ndikim në ndryshimet klimatike. 

Tutje, ministri shprehu shqetësimin e tij lidhur me mungesën e resurseve ujore në vendin tonë dhe se siç tha ai , vendi ynë për këtë çështje do të preket shumë edhe nga ndryshimet klimatike. Po ashtu, ai shtoi se ministria është duke bërë studimet të fisibilitetit dhe ndërtimin e digave të cila do të ndikojnë në furnizim me ujë të pijes.

 “Vendi ynë ka jashtëzakonisht pak resurse ujore, kemi pak potencial edhe për prodhim të energjisë dhe pijes, e lere më për ujitje. Këto projekte që kanë të bëjnë me rezervat do të jenë një resurs ujor që do të plotësojë kërkesat e kësaj ane për ujë të pijes. Kjo i menaxhon edhe vërshimet. Kosova në rajon është vendi më i ndjeshëm më furnizim më ujë dhe ne do të prekemi me ndryshimet klimatike jashtëzakonisht shumë. I kanë munguar vendit tonë studimet e fizibilitetit. Këto rezervate do të ndikojnë edhe thatësira”, theksoi ai.

Ministri Aliu deklaroi se është finalizuar aplikacioni dhe baza e të dhënave për sistemin informativ për menaxhimin e mbeturinave, përmes të cilit, siç tha ai, të gjitha institucioneve relevante përfshirë MMPHI-në, komunat, kompanitë e riciklimeve etj., kanë paraqitur të dhënat lidhur me mbeturinat. 

Ministri foli edhe për miratimin e disa projektligjeve, hartimin e strategjisë shtetërore të ujërave të Kosovës si dhe Planin e veprimit për vitin 2023-2025. Gjithashtu ai theksoi se MMPHI-ja është duke punuar në projektin e ndërtimit të shtëpive të shkatërruara në pjesën veriore të Mitrovicës, si dhe hartimin e disa projekteve të infrastrukturës rrugore etj.

Anëtarët e Komisionit ngritën një varg pyetjesh dhe shqetësimesh që ndërlidhën me fushëveprimtarinë e këtij komisioni, ndërkaq ministri Aliu u përgjigj në pyetjet e tyre duke dhëne sqarimet e nevojshme.