Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

23.05.2023

Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga kryetarja Hykmete Bajrami, u shqyrtua raporti vjetor i performances së Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), për vitin 2022, si dhe raporti i auditimit për pasqyrat financiare vjetore të ZKA-së për vitin 2022.

Përkitazi me këto raporte, sqarime të nevojshme dha Vlora Spanca, auditore e përgjithshme. 

Ajo pasi foli lidhur me perfomancën e ZKA-së, progresin dhe sfidat me të cilat janë ballafaquar gjatë vitit paraprak, tha se ZKA-ja ka arritur t'i përmbush të gjitha obligimet sipas afateve ligjore. 

Spanca bëri të ditur se kanë publikuar 127 raporte të auditimit të fushave të përfomancës, pajtueshmërisë dhe përformancës dhe se kanë kryer edhe monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të dhëna për organizatat buxhetore. 

Tutje, ajo vlerësoi se angazhimi i ZKA-së është përqëndruar në auditimet e institucioneve publike, të ndërmarrjeve publike, të cilat sipas saj, nuk janë audituar për një kohë të gjatë. 

Dobësitë kryesore gjatë auditimeve, ajo tha se janë evidentuar në secilën fushë. Ndërkaq, theksoi faktin se në auditimet e kryera gjatë vitit 2022, janë dhënë gjithsej 1 mijë e 30 rekomandime përkatëse për përmirësimin në menaxhimin e financave publike. 

Duke dhënë përgjigjje në secilën çështje që ngritën anëtarët e komisionit, Spanca vlerësoi se ka progres në zbatim të rekomandimeve.

Një çështje tjetër, të cilin ajo e përmendi, ishte fakti se janë dërguar në prokurori të shtetit 77 raste të veprave penale, me elemente të rasteve për mashtrim dhe korrupsion. Ky lajm ngjalli diskutim më të gjerë në këtë mbledhje.

Më pas, gjatë diskutimeve u vë në pah fakti se raporti është me opinion të pamodifikuar dhe se është prezantuar një e gjetur. Por, kjo sipas Spancës nuk paraqet elemente të keqpërdorimit. 

Komisioni po ashtu diskutoi edhe lidhur me çështjen e vetëlargimit të disa auditorëve, çështje tjera gjatë auditimeve, kërkesat buxhetore, rastet që janë dërguar në prokurori etj. 

Mbledhja u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit gjatë pjesëmarrjes në votim. 
Kryetarja e komisionit, Hykmete Bajrami, sqaroi se Grupi Parlamentar i LDK-së vazhdon të bojkotojë votimin në seanca dhe në komisione për shkak të çështjes së bllokimit të mjeteve vetanake të komunave.