Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Integrim Evropian

19.04.2024

Komisioni për Integrim Evropian, kryesuar nga kryetarja, Rrezarta Krasniqi, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën ka raportuar, Rozeta Hajdari,   ministre e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. 

Raportimi i sotëm i ministres Hajdari, është bërë me ftesë të komisionit, dhe për qëllim kishte informimin lidhur me performancën dhe përmbushjen e objektivave që kanë të bëjnë me integrimin  evropian të vendit tonë. 

Gjatë raportimit të saj me këtë rast, ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u shpreh: “Misioni kryesor i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është përmirësimi i mjedisit të biznesit dhe zhvillimi i konkurrueshmërisë, duke zhvilluar industrinë, ndërmarrësinë dhe tregtinë. Plani Kombëtar për Integrim Evropian (PKIE) dhe Agjenda për Reforma Evropiane (ARE) janë dy dokumentet bazë mbi të cilat Qeveria bën prioritizimin e aktiviteteve dhe objektivave të Qeverisë së Republikës së Kosovës”. 

Në kuadër të kësaj, vijoi ajo,  kemi përmbushur shumë obligime të cilat kanë rezultuar pozitivisht edhe në Raportin e Fundit të Komisionit Evropian, ku sipas raportit të Komisionit Evropian, i cili përveç shumë arritjeve të Qeverisë, në veçanti e vlerëson si progres të dukshëm plotësimin e kornizës legjislative, në përputhje me direktivat e BE-së, të hartuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. 

Raporti, tha ministrja Hajdari, vë në pah përmirësimin e dukshëm të mbikëqyrjes së tregut, si dhe rritjen e përformancës së Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë - KIESA-së, duke e quajtur si përmirësim të fuqishëm. 

Në vijim të fjalës së saj ministrja u ndal tek sukseset në shumë fusha, me theks të veçantë të arriturat në: Lëvizjen e lirë e mallrave, të  drejtën e themelimit të kompanive dhe liria e ofrimit të shërbimeve, të drejtat e kompanive, të drejtën e pronësisë intelektuale,  për politikat e ndërmarrjeve dhe ato të industrisë, mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetit,  marrdhëniet ndërkombëtare, si dhe çështje të tjera të ndërlidhura me procesin e integrimit. 

Ajo iu përgjigj edhe pyetjeve të ngritura, të cilat deputetët me këtë rast vlerësuan se janë të dobishme dhe me interes për qytetarët. 

Në këtë mbledhje, komisioni shqyrtoi, por në mungesë kuorumi nuk arriti të miratojë disa projektligje të parapara për këtë mbledhje.