Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere  

28.03.2023

Sot Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, kryesuar nga Armend Muja, mbajti mbledhjen e radhës, duke filluar më shqyrtimin e Raportit me Amendamente të komisionit funksional për Projektligjin nr.08/L-184 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje. Me të hedhur në votim, me shumicë votash, u miratuan rekomandimet e propozuara.

Po ashtu, anëtarët e komisionit miratuan edhe formimin e grupit punues për kornizën afat-mesme të shpenzimeve të brendshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Më pas, mbledhja e komisionit vazhdoi punimet me shqyrtimin e listës së kandidatëve për plotësimin e pozitës së Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. 

Pas vlerësimit të kandidatëve dhe ndjekjes së të gjitha procedurave të rekrutimit, nga BQK, ishin propozuar 4 kandidatë për këtë pozitë dhe komisioni për tu informuar tutje rreth kësaj përzgjedhje, kishte ftuar në takim panelin vlerësues të kandidatëve.

Për t’iu përgjigjur komisionit në këtë kërkesë, i pranishëm ishte z. Bashkim Nurboja, kryetar i bordit të BQK-së. Njëherësh në cilësinë e anëtarit të bordit vlerësues ishte edhe Bujar Leka, sekretar i panelit vlerësues të BQK-së,. Ata theksuan se janë bërë verifikimet dhe vlerësimet e nevojshme për përzgjedhjen e kandidatëve.

Anëtarët e komisionit para përfaqësuesve të BQK-së, duke vënë në pah dilemat e tyre rreth procesit të përzgjedhjes, parashtruan një sërë pyetjesh kryesisht të orientuara tek kushtet juridike dhe procedurat ligjore, kualifikimet e kandidatëve, konfliktet potenciale të interesit, Ligjin për barazi gjinore dhe pyetje lidhur me listën e kandidatëve të intervistuar dhe sqarimin me shkrim për kandidatët që kanë aplikuar. 

Si rrjedhojë, kryetari i bordit të BQK z. Nurboja, theksoi se janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore dhe janë dërguar me shkrim në Kuvend sqarimet për 4 personat e përzgjedhur në listë, por jo për të gjithë listën e kandidatëve.

Tutje në këtë takim, u ngrit si çështje diskutimi se kush do ta ushtrojë detyrën e Guvernatorit dhe nën-guvernatorit të BQK-së deri në përzgjedhje të tyre, për të cilën nga z. Nurboja u deklarua se nuk ka vendim ende dhe që pritet të mirret vendimi pas takimit të bordit. 

Pas një diskutimi të gjerë lidhur me listën e kandidatëve, nuk u arrit të ketë vendimmarrje lidhur rekomandimin e BQK-së që komisioni t’ia propozojë Kuvendit votimin e një kandidati për Guvernator, e as nuk u arrit të ketë vendimmarrje për rekomandimin e komisionit që Kryetari i Kuvendit ta njoftojë institucionin përkatës, për mospërmbushje të të gjitha kushteve për përzgjedhjen e listës së kandidatëve sipas ligjit, duke e kthyer procesin në fazat fillestare të tij.