Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere  

03.10.2023

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, kryesuar nga kryetari Armend Muja, mbajti sot mbledhjen e radhës.

Pas propozimit të kryetarit Muja që raporti i punës së Komisionit për sesionin pranveror 2023 dhe shqyrtimi i draft planit të punës së Komisionit vjeshtor 2023 të shtyhen për mbledhjen e radhës, Komisioni vijoi punën me votimin e raportit vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2022, i cili nuk mori votat e mjaftueshme. 

Ndryshe nga OSHP, Komisioni miratoi raportin vjetor financiar të Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2022, raportin vjetor financiar të Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare për vitin 2022 dhe raportin vjetor financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.

Komisioni miratoi në parim Projekt Kodin  Doganor dhe të Akcizave si dhe Projektligjin për për aderimin e Kosovës në Konventën për importin e përkohshëm.

Mbledhja e Komisionit vijoi me shqyrtimin e raportit vjetor financiar të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2022, të cilin e prezantoi kryesuesi i Bordit, Ymer Fejzullahu.

Pas prezantimit u hap debati, gjatë të cilit deputetët shtruan pyetje në lidhje me raportin vjetor financiar, përgjigjet e të cilave i morën nga anëtarët e Bordit të ZRRE-së.

Votimi i raportit ndërkaq u shty për mbledhjen e radhës.

Për mbledhjen pasuese po ashtu u shty edhe shqyrtimi i raportit të shpenzimeve të Kuvendit për 6-mujorin e parë të vitit 2023.