Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, dhe Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, i kryesuar bashkërisht nga Duda Balje dhe Fatmire Kollçaku, të dyja kryetare të Komisioneve, mbajtën sot takim të përbashkët.
Përveç anëtarëve të Komisionit, në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, të kryesuar nga ministri z. Arben Vitia, përfaqësues të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në krye me drejtorin e përgjithshëm z. Elvir Azizi si dhe përfaqësuesit e Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës, të kryesuar nga Avokati i Popullit, z. Naim Çelaj.
Anëtarët e të dy komisioneve të lartpërmendura në rend të ditës kanë pasur takimin me përfaqësues të institucioneve qendrore shëndetësore publike dhe me Avokatin e Popullit për t'u informuar për vdekjen e vajzës katërvjeçare nga Gjakova.
Në vazhdim të kësaj mbledhjeje të përbashkët, pothuajse të gjithë përfaqësuesit e institucioneve publike shëndetësore të lartpërmendura, si dhe Avokati i Popullit, theksuan se do të ishte mirë që Inspektorati Shëndetësor, Policia, QKUK-ja dhe Qendra Rajonale Shëndetësore e Gjakovës të dalin me raport zyrtar sa më parë, në mënyrë që të vijmë në mënyrë sa më profesionale deri tek e vërteta për këtë rast tragjik.
Në vazhdim të mbledhjes anëtarët e të dy Komisioneve u drejtuan të ftuarve të lartpërmendur pyetje të shumta, të cilave u përgjigjën në mënyrë shteruese.