Kuvendi i Republikës së Kosovës nën drejtimin e kryetrarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, në seancën e sotme kishte për objekt shqyrtimin e parë të Projektligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Drejtuesi i punimeve të seancës së Kuvendit, z. Konjufca, kërkoi nga deputeti Abelard Tahiri që si përfaqësues i Komisionit parlamentar Ad-hoc, ta paraqes dhe arsyetojë këtë projektligj.
Në emër të Komisionit parlamentar Ad-hoc, Abelard Tahiri bëri arsyetimin e raportit, duke vlerësuar se punën në këtë projektligj e ka përcjell një konsensus dhe frymë mjaft pozitive bashkëpunuese midis të të gjithë përfaqësuesve të komisionit.
Duke e konsideruar njërin nga ligjet më të rëndësishme të vendit, Tahiri tha se ai përbëhet nga 130 nene nga të cilat, 92 nene janë rihartuar nga e para, ndërsa në pjesën tjetër ka pasur intervenime.
Pas prezantimit të projektligjit, drejtuesi i seancës, Glauk Konjufca ia kaloi fjalën me radhë përfaqësuesve të grupeve parlamentare, të cilët i dhanë mbështetje projektligjit.
Pas deklarimit të përfaqësuesve të grupeve parlamentare, në emër të qeverisë fjalën e mori kryeministri Albin Kurti, i cili shprehu kënaqësinë dhe falënderimin e tij në lidhje me punën e bërë për të përfunduar me sukses këtë reformë zgjedhore.
“Në radhë të parë, dua të falënderoj subjektet politike pjesëmarrëse në Grupin Punues të Komisionit ad-hoc për angazhimin, punën dhe pajtueshmërinë rreth ndryshimeve dhe plotësimeve të bëra në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë. Po ashtu, falënderoj miqtë ndërkombëtarë për kontributin e tyre profesional me rekomandimet e vazhdueshme, pas të gjitha cikleve zgjedhore në Kosovë, tani e mbi një dekadë”, theksoi kryeministri Kurti, duke shfaqur shpresën që me votimin e këtij ligji do t’u dilet hak të gjithë mërgimtarëve që, siç tha ai, përkundër vështirësive nuk hoqën dorë për ta shprehur vullnetin tyre politik.
Kuvendi më pas vijoi me diskutimet e deputetëve të të gjitha partive dhe pas reshtjes së tyre, me 86 vota pro miratoi në shqyrtim të parë Projektligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Në një seancë të dytë, po sot, me 79 vota, asnjë votë kundër dhe tre abstenim, Kuvendi miratoi këtë projektligj edhe në shqyrtim të dytë, pasi i njëjti paraprakisht mori mbështetjen nga komisionet e përhershme të Kuvendit.