Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryetari Konjufca: 28 Nëntori është data më përbashkuese e kombit tonë

28.11.2024
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, për nder të 28 Nëntorit, bashkë me zëvendëskryeministrat Besnik Bislimi e Donika Gërvalla, deputetë e ministra, bëri homazhe dhe vendosi lule në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në Kullën e Isa Boletinit në Boletin dhe te shtatorja e Ismail Qemalit në Prishtinë. 
 
Në Prekaz kryetari Konjufca tha se 28 Nëntori është dita jonë e krenarisë dhe sinonim i saj është Familja Jashari. 
 
“28 Nëntori është data më përbashkuese e kombit tonë, është ditë e krenarisë kombëtare dhe sinonimi i saj është sakrifica e madhe e Familjes Jashari. Populli ynë dhe përfaqësuesit e tij i përkulen sakrificës dhe historisë së Familjes Jashari”, tha kryetari Konjufca. 
 
Duke u thirrur në lavdinë dhe madhështinë e kësaj date, kryeparlamentari Konjufca tha se kjo datë është festë e trefishtë, sepse, me 28 nëntor të vitit 1997 në Llaushë doli për herë të parë UÇK-ja, dhe e njejta datë përkon me ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari.
 
Në kullën e heroit kombëtar Isa Boletini, i mirëpritur nga familja e heroit Boletini, kryetari Konjufca tha se Shqipëria e Kosova janë një. Kanë qenë të bashkuara përgjatë gjithë historisë, ishin bashkë edhe me 28 nëntor 1912, kur u shpall Pavarësia Shqiptare. 
 
“Aty ku ishte Ismail Qemali, ishte edhe Isa Boletini. Shqipëria dhe Kosova janë një dhe të pandashme. Përgjatë gjithë historisë kanë qenë të bashkuara. Ishin bashkë edhe me 28 nëntor të vitit 1912. Personifikimi më i mirë i këtij bashkimi është binomi i dy heronjve tanë madhështorë”, theksoi kryetari Konjufca. 
 
Kreu i Kuvendit shtoi se heroi Isa Boletini jo vetëm që e vuri nënshkrimin e tij me ngjyrë në deklaratën e pavarësisë shqiptare, por e ka shkruar historinë e shqiptarëve edhe me gjak e sakrificë. 
 
Duke ua uruar të gjithë shqiptarëve festën e 28 Nëntorit, kryetari Konjufca tha se pasardhësit e Isa Boletinit duhet të jenë krenarë që me shumë kujdes dhe nder po e mbrojnë këtë trashëgimi kaq të vlefshme për kombin tonë.
 
Duke nderuar dhe vlerësuar jetën dhe veprën e Ismail Qemalit, kryetari Konjufca tha se Ismail Qemali, në emër të të gjithë shqiptarëve shpalli pavarësinë e gjithë kombit shqiptar. 
 
“Në këtë ditë të bekuar, në festën e flamurit tonë kombëtar, e cila mori inspirim nga kthimi i Skënderbeut në Krujë, rrugëtimi heroik dhe historik i shqiptarëve, vazhdoi me shpalljen e pavarësisë në Vlorë, për të vazhduar tutje me çlirimin e Kosovës - falë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krye me Komandantin tonë legjendar Adem Jashari, urojmë të festojmë gjithmonë të lirë e krenarë”, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.