Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryetari Glauk Konjufca takoi kongresistin amerikan Robert Aderholt

30.03.2023

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka vazhduar vizitën e tij zyrtare në SHBA, me takime me personalitete të ndryshme të politikës amerikane. 

Në vazhdën e këtyre takimeve kryetari Konjufca është pritur nga kongresisti republikan, njëherësh anëtar i Grupit të Miqësisë për Çështje Shqiptare në kuadër të Kongresit, Robert Aderholt.
 
Në një bashkëbisedim miqësor me z. Aderholt, kryetari i Kuvendit potencoi punën dhe përkushtimin e institucioneve të Kosovës sa i përket agjendës euroatlantike të Kosovës, avancimit të procesit të njohjeve ndërkombëtare dhe dialogut me Serbinë. 

Në takim gjithashtu u shkëmbyen pikëpamje lidhur me zhvillimet aktuale politike dhe situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit mes Kosovës e ShBA-ve në fusha të interesit të dyanshëm.