Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim realizoi vizitë zyrtare në Komunën e Mitrovicës Veriore, me qëllim të informimit të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për gjendjen e përgjithshme të komuniteteve në komunë, nga aspekti i punësimit, zhvillimit social, arsimit dhe nivelit të zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Me këtë rast, komisioni u takua me kryetarin e Komunës, Erden Atiq, nënkryetaren e Komunës, Katarina Axhançiq, kryesuesin e Kuvendit Komunal, Nexhad Ugljanin, si dhe kryetaren e Komitetit për Komunitete, Naxhije Xhema.
Kryetari i Komunës, Erden Atiq, gjatë takimit foli për statutin, si aktin më të lartë juridik të Komunës së Mitrovicës së Veriut, i cili rregullon kompetencat, parimet themelore të financave, organizimin dhe funksionimin e organeve komunale, marrëveshjet brenda komunës, bashkëpunimin ndërkomunal dhe bashkëpunimin ndërmjet komunës dhe pushtetit qendror.
Kryetari Atiq bëri të ditur se Komuna ka miratuar akte të tjera të nevojshme, rregullore, vendime, marrëveshje për bashkëpunim me qëllim të funksionimit efikas të saj. Në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve në fuqi, ai tha se është miratuar edhe një Rregullore të veçantë për përdorimin e gjuhëve brenda komunës. Në këtë kontekst, sipas tij, theksohen vështirësitë, sfidat dhe barrierat me të cilat ballafaqohen në realizimin e qëllimeve të tyre në çështjet e ndërveprimit mes qytetarëve dhe autoriteteve komunale, sepse, siç u potencua, territorialisht Komuna e Mitrovicës Veriore është një zonë territoriale specifike në të cilën duhet të jenë të drejta dhe liri të barabarta të siguruara për të gjithë, pavarësisht nga dallimet racore, fetare, etnike, gjuhësore, gjinore dhe politike.
Kryetarja e Komitetit për Komunitete, Naxhije Xhema, theksoi mbrojtjen, monitorimin dhe promovimin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në komunë, si synime kryesore të Komitetit për Komunitete. Si pengesë në funksionimin e komitetit ajo përmendi i njëjti nuk është kompletuar funksionalisht, përkatësisht tani për tani nuk ka përfaqësues nga radhët e komunitetit rom, ashkali dhe atij egjiptian, si dhe mos emërimin e nënkryetarit të komitetit. Ajo e konsideroi të nevojshme shpalljen e konkurseve dhe zhvillimin e procedurave për pranimin e tyre.
Si sfida kryesore ajo theksoi realizimin në kohë të projekteve kapitale, bashkëpunimin me mekanizma të tjerë për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të komuniteteve, si dhe aksesin e anëtarëve të komuniteteve në punësim në institucionet publike.
Nënkryetarja e komunës, Katarina Axhançiq, si prioritet veçoi nevojat qytetare, përkatësisht krijimin e bazës elektronike të të dhënave të Regjistrit Civil të qytetarëve dhe përgatitjen e Udhëzimeve Administrative për shqyrtimin e tij, që, sipas saj, do të ndihmojë shumë në zgjidhjen e çështjeve aktuale, duke pasur parasysh se kjo komunë nuk ka ekzistuar më parë.
Nevoja për progres në të gjitha segmentet e jetës, infrastruktura, punësimi, investimet në përfitime sociale, çështjet e arsimit dhe çështjet që lidhen me standardin më të lartë të jetesës së të gjithë popullsisë, mbeten si synime të ardhshme të pushtetit lokal.
Nënkryetari i Kuvendit Komunal, Sulejman Ugljanin, apeloi për investime infrastrukturore në vendbanimet ku jetojnë komuniteti boshnjak dhe komunitetet tjera që janë më së shumti të diskriminuara, pastaj për zgjidhjen e çështjeve pronësore-juridike, mbrojtjen, realizimin dhe promovimin e të drejtave të gjitha komuniteteve që jetojnë në Komunën e Mitrovicës së Veriut.