Kuvendi i Republikës së Kosovës

Gratë deputete dhe asambliste kërkojnë fuqizim më të madh të rolit të gruas

26.05.2023

Në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nën kryesimin e deputetes, anëtare e Grupit të Grave Deputete, Albana Bytyqi, u mbajt sot punëtoria me temën  “Gratë udhëheqin agjendën legjislative për barazi gjinore: Fuqizim ekonomik të grave në nivelin qendror dhe lokal”, mbështetur nga NDI dhe USAID, ku të pranishme ishin deputete të Kuvendit dhe gra asambliste të kuvendeve komunale.

Një fjalë rasti në këtë punëtori mbajti nënkryetari i Kuvendit, Enver Hoxhaj. 
Duke inkurajuar gratë që të luftojnë për barazi dhe t’i përdorin të gjithë mundësitë dhe kohën e tyre për fuqizimin e grave në politike e me theks të veçantë në ekonomi, nënkryetari Hoxhaj tha se aty ku ka barazi ka edhe demokraci. 

“Në këto 15 vite të pavarësisë është bërë shumë për barazinë gjinore. Mbi të gjitha dua t’u them dhe e di që nuk i keni të lehta betejat që të shërbeni në asambletë komunale. Ju ftoj që çdo ditë të bëni përpjekje t’i realizoni synimet tuaja”, tha nënkryetari Hoxhaj.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Mulhaxha Kollçaku theksoi angazhimin e Qeverisë dhe Kuvendit për ndryshimin e ligjeve që përmirësojnë dhe avancojnë rolin e grave në shoqërinë e Kosovës.

Anëtarja e Bordit të Grupit të Grave Deputete, Eliza Hoxha, tha se një nga defektet e shoqërisë së Kosovës është hapësira e gjetjes së tregut të punës.
Ajo tha se për t’u fuqizuar gratë në ekonomi është i rëndësishëm edukimi, ndërsa problematikë për fuqizimin e grave në ekonomi e konsideroi mospërfshirjen e tyre në trashëgimi.

Zëvendëskryetarja e parë e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Jeta Statovci, tha se rrugëtimi i grave të Kosovës këto 20 vite nuk ka qenë i lehtë. 

“Ato janë përballur me tranzicionin e shoqërisë tonë, me shtypjen e mendësisë patriarkale, një pjesë e tyre edhe paragjykime dhe steriotipe”, tha deputetja Statovci, duke përmendur edhe shumë gra që kanë dhënë kontribut të madh në rrugëtimin e Kosovës para dhe pas luftës e edhe tani.

Deputetja Valentina Bunjaku tha se në Kosovë ka ligje të mira, por ato ligje duhet të zbatohen në praktikë.

“Në  vendet patriarkale nuk mendohet që grave t’u lihet trashëgimia. Mungesa e trashëgimisë e penalizon gjatë ecjes në karrierë por edhe në jetën profesionale”, tha Bunjaku.

Deputejta Albana Bytyqi tha se sa pjesëmarrja e grave në vendimmarrje është e vendimtare për zhvillimin e çdo shoqërie. Ajo tha se vendi ynë ka bërë një përparim të rëndësishëm në promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave, megjithatë, sipas saj, diskriminimi me bazë gjinore dhe dhuna ndaj grave mbetet çështje të përhaura në Kosovë. 

Deputejta Vlora Dumoshi kujtoi rolin e rëndësishëm të gruas në lëvizjen kombëtare në Kosovë dhe në shumë procese të rëndësishme politike gjatë dekadave të fundit. 

Në anën tjetër gratë asambliste kërkuan nga deputetet bashkëpunim edhe më të mirë mes nivelit lokal dhe atij qendror, si dhe angazhim më të shtuar në përmirësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me barazinë gjinore.