Kuvendi sot është ndër institucionet më të qasshme, e hapur dhe llogaridhënëse. Duhet të punojmë bashkë dhe të angazhohemi së bashku edhe me tej.
Kështu tha kryetarja e Forumit për Transparencë Parlamentare, deputetja Arbëreshë Kryeziu Hyseni, në konferencën përmbyllëse të Forumit “Transparenca parlamentare: Arritjet e deritanishme dhe prioritetet për të ardhmen”, organizuar sot në Kuvend me mbështetjen e NDI-së.
Në prani të përfaqësuesve të shoqërisë civile, mediave, nxënësve e studentëve, kryetarja Kryeziu Hyseni potencoi angazhimet kryesore të Forumit përgjatë kësaj legjislature, duke vlerësuar se është bërë një punë të jashtëzakonshme pikërisht për ta bërë Kuvendin siç është sot.
“Nuk dua të ndalem dhe të flas specifikisht për aktivitetet tona, sepse janë shumë, por vetëm dua të them që është bërë një punë e jashtëzakonshme për ta bërë Kuvendin siç është sot. Tani nuk jemi të kënaqur sepse ka ende punë për të bërë, por megjithatë situata në të cilën e gjejmë vetën sot është krejt ndryshe siç ka qenë para katër vitesh dhe dua t’i falënderoj secilin anëtar të Forumit për punën që kanë bërë, për ta rritur transparencën dhe llogaridhënien e Kuvendit. Falë kësaj pune, Kuvendi sot është institucioni më transparent dhe llogaridhënës në Kosovë, por në të njëjtën kohë edhe më transparenti ndër Kuvendet në rajon. Kemi pasur përkrahje nga të gjithë me të cilët kemi bashkëpunuar dhe sidomos nga NDI, në mënyrë që të kemi një Kuvend sa më të qasshëm”, tha kryetarja e Forumit.
Driton Selmanaj, anëtar i Forumit për Transparencë Parlamentare tha se Kuvendi është storie e suksesit, përderisa vlerësoi angazhimet që janë bërë ndër vite në këtë fushë.
Duke falënderuar NDI-në për mbështetjen e vazhdueshme, zyrën për media të Kuvendit dhe të gjitha ekipet e punës, deputeti Selmanaj tha se ky është një vlerësim për të gjithë ne dhe si i tillë është rezultat i përbashkët.
“Jam i interesuar që imazhi i Kuvendit dhe politikanit të përmirësohet, sepse politikani sot nuk shihet me një sy të mirë dhe mendoj që duhet të jetë e kundërta. Duhet të shihet si profesion atraktiv që do të kontribuojë për ndryshim të jetës së qytetarëve”, tha ai.
Gjatë fjalës së tij Selmanaj e konsideroi të domosdoshme që legjislativi të jetë më i hapur ndaj palëve të tjera në aspektin e dëgjimeve publike gjatë hartimit të ligjeve.
Ndërkaq, Violeta Haxholli, anëtare e Forumit për Transparencë Parlamentare nga radhët e KDI-së, tha se Kuvendi ka shënuar hapa në fushën e transparencës, por se ende ka sfida para vetes.
“Si shoqëri civile kemi marrë informata dhe kemi pasur një qasje pozitive. Padyshim që Kuvendi ka shënuar hapa të suksesshëm drejt transparencës. Vet fakti që Kosova vitin e kaluar është bërë anëtare e Partneritetit për Qeverisje të Hapur tregon për suksesin e arritur deri më tani, por ne si anëtarë të Forumit kemi edhe kritikat tona së çfarë mund të bëjmë edhe më shumë. Seancat e Kuvendit transmetohen drejtpërdrejt, por kur te vije fjala te komisionet ajo varet nga vullneti dhe jo gjithmonë mund të shihen drejtpërdrejt nga publiku”, tha Haxholli, duke shtruar nevojën e miratimit gjatë legjislaturës së ardhshme të kodit të sjelljes për deputetet.
Në kuadër të konferencës, nxënësit nga shkolla fillore “Elena Gjika” në Prishtinë, prezantuan punimet nga “Punëtoria e Demokracisë”, më temën: demokracia, zgjedhjet dhe roli i medieve në demokraci.