Sot, më datë 16 mars 2023, vazhdoi punimet Komisioni Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë, në selinë e Parlamentit Evropian në Strasburg të Francës.
Takimi është kryesuar nga bashkëkryesuesit e këtij Komisioni, Mimoza Kusari-Lila dhe Romeo Franz.
Nga Kuvendi i Kosovës morën pjesë anëtarët e këtij delegacioni, zëvendëskryesuesi, deputeti Elmi Reçica, deputetët Armend Muja, Fitore Pacolli-Dalipi, Jeta Statovci, Ariana Musliu-Shoshi, Floretë Zejnullahu, Rrezarta Krasniqi, Pal Lekaj dhe Bahrim Šabani.
Sesioni i dytë filloi me diskutimin për sigurinë dhe sundimin e ligjit.
Për këtë temë, Komisionit iu adresuan deputetët Armend Muja dhe Rrezarta Krasniqi.
Në vazhdim të këtij sesioni, u diskutua liria e medias dhe shoqëria civile.
Lidhur me këtë temë të diskutimit, shkëmbyen pikëpamjet e tyre Romeo Franz, bashkëkryesues i Komisionit, deputetja Fitore Pacolli-Dalipi dhe deputeti Pal Lekaj.
Diskutimit iu bashkangjit edhe eurodeputetja, njëherit Raportuesja e Përhershme e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola Von Cramon-Taubadel dhe deputeti Armend Muja.
Tutje, u diskutua tema mbi ekonominë dhe mirëqenien sociale, ku në këtë rast folën deputeti Armend Muja dhe zëvendëskryesuesi, deputeti Elmi Reçica.
Për këtë çështje, diskutimeve iu bashkangjit edhe Romeo Franz, bashkëkryesues i Komisionit.
Pjesa tjetër e takimit vazhdoi me temën mbi energjinë, me ç’rast deputetët Jeta Statovci dhe Elmi Reçica iu drejtuan Komisionit dhe shprehën idetë dhe qëndrimet e tyre në lidhje me këtë çështje të rëndësishme për vendin.
Tema e fundit në agjendë ishte bashkëpunimi rajonal, liria e lëvizjes dhe ndikimi i saj. Komisionit iu adresua bashkëkryesuesja Mimoza Kusari-Lila dhe deputeti Pal Lekaj.
Takimi i dhjetë i Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE- Kosovë përfundoi me fjalët përmbyllëse të bashkëkryesuesve, të cilët ritheksuan se BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor, si dhe mirëpritën aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.
Në fund, palët u pajtuan që takimi i radhës të mbahet në pjesën e dytë të vitit 2023.