Kuvendi i Republikës së Kosovës

Anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione vizituan Qendrën Korrektuese nё Smrekonicё

24.03.2023

Anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, i prirë nga Duda Balje, kryetare dhe Marigona Geci dhe Nasuf Bejta, anëtarë të këtij komisoni, vizituan Qendrën Korrektuese nё Smrekonicё.

Deputetët u priten nga Agron Thaqi, zëvendës i drejtorit tё Qendrën Korrektuese në Smrekonicё, Isamil Dibrani, zëvendës i zëvendësdrejtorit tё përgjithshëm tё Shërbimit Korrektues tё Kosovës (SHKK), dhe Besar Gashi, zëvendës i zëvendësdrejtorit për Siguri dhe Operativë në SHKK.

Vizita kishte pёr qëllim njohjen nga afër lidhur me funksionimin e kësaj qendre, kushtet dhe standardet që ofron ajo. 

Drejtuesit e SHKK-së i njoftuan deputetët në detaje lidhur me funksionimin e kësaj qendre, shërbimet që ofron ajo, si dhe për kushtet dhe sfidat me tё cilat ballafaqohen.

Qendra Korrektuese në Smrekonicё është institucion korrektues i tipit të hapur, ku kapaciteti i përgjithshëm i saj është prej 200 të dënuarve, ndërsa për momentin në këtë qendër janë 110 persona tё dënuar. 

Më tutje, deputetët u informuan pёr strukturën e kësaj qendre dhe shërbimet profesionale që ofrohen, siç janë: ai shëndetësorë, shërbimi i vizitave, shërbimi i aktiviteteve të lira, shërbimi i zyrës për programe etj.

Nё këtë qendër, ndër të tjera, funksionojnë zyra ligjore, ekipi multifunksional si dhe dy zyrtarë social.

Ndёr tё tjera, drejtuesit e SHKK-së sqaruan mënyrën e rregullimit të vizitave të rregullta të të burgosurve në familjet e tyre, si dhe vizitave në rastet e jashtëzakonshme.

Deputetët u interesuan për shumë aspekte të të drejtave të burgosurve, të cilat kanë të bëjnë me zbatimin e Ligjit për Ekzekutimin e Ligjit për Sanksionet Penale.

Një nga çështjet mё të ndjeshme, e cila ka tё bёjё me zbatimin e ligjit tё lartpërmendur u tha se është pranimi i pakove ushqimore nga tё burgosurit, çështje kjo e cila ende nuk ka gjetur zbatim.

Deputetët nё veçanti u interesuan të dinë më shumë lidhur me mënyrën e përpilimit dhe procedimit të kërkesave për lirim me kusht, që bëhet nga ana e zyrtarëve përkatës brenda Qendrës Korrektuese.

Deputetët më pas i vizituan edhe disa nga të burgosurit, ku dëgjuan shqetësimet dhe brengat e tyre lidhur me respektimin e të drejtave të tyre në këtë qendër.

Mё tej, deputetët vizituan edhe mensën e qendrës, ku panë për së afërmi kushtet dhe servimin e ushqimit.

Nё përfundim të kësaj vizite, anëtarët e komisionit diskutuan me drejtuesit e SHKK-së për disa nga shqetësimet e të burgosurve. 

Pasi që ishte konstatim i përgjithshëm se çështja e lirimit me kusht për të burgosurit, të cilët i plotësojnë kriteret ligjore është një nga sfidat kryesore, drejtuesit e SHKK-së premtuan se do tё bëjnë përpjekje që në të ardhmen anëtarët e këtij komisioni të marrin informacione më të shumta.