Kuvendi i Republikës së Kosovës

Anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione vizituan SHSKUK-në

21.03.2023

Anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione: Duda Balje, Tinka Kurti, Drita Millaku, Ariana Musliu Shoshi, Nasuf Bejta dhe Marigona Geci, vizituan sot Repartin e Neonatalogjisë dhe Repartin e Gjinekologjisë në kuadër të SHSKUK-së.

Vizita u realizua fillimisht në Repartin e Nenonatalogjisë, ku anëtarët e komisionit u pritën nga ushtruesja e detyrës se drejtorit, znj. Hajrije Ismaili me bashkëpunëtorë. 

Znj. Ismaili mirëpriti vizitën dhe i njoftoi anëtarët e komisionit me kushtet dhe shërbimet që ofron Reparti i Neonatalogjisë, duke shtuar se në këtë repart trajtohen foshnjat që lindin para kohe dhe ato që kanë probleme shëndetësore, përfshijë edhe foshnjat që lindin në klinikat regjionale. 

Ajo tha se brenda mundësive ekzistuese personeli  mjekësor mundohet të ofrojë më të mirën e  mundshme dhe se ka rezultate pozitive, ndërsa shkalla e vdekshmërisë së foshnjave ka rënie. Sipas saj në vitin 2022 ishte 14.4 promilë, që është në rënie në krahasim me vitin paraprak ku vdekshmëria ishte 18.6 promilë.

Më tej u tha se klinika ka 44 shtretër që trajtohen 30 deri 35 foshnje.

Znj. Ismaili parashtroi kërkesë për përmirësim të kushteve sa i përket kujdesit gjysmë intensiv, ndërsa theksoi se synimi i tyre është edhe  themelimi i  njësisë së shërbimit të foshnjave të cilat kanë qëndruar në kujdes intensiv, për foshnjat e lindura para kohe dhe foshnjat e sëmura që bëhet në formë multidisiplinare.

Sa u përket barnave, ajo  tha se ka probleme me barnat që nuk janë në listën esenciale, duke përmendur  llojet e tyre.

Anëtarët e komisionit u interesuan të dijnë se me çfarë problemesh ballafaqohet kjo klinikë, a ka staf të mjaftueshëm për trajtimin e foshnjave, a ka hapësira të mjaftueshme, si bëhet transporti i foshnjave nga klinikat regjionale dhe a bëhet ndarja e foshnjave në vendosjen e kujdesit intensiv dhe gjysmë intensiv, varësisht nga sëmundjet, si dhe për mundësinë e ngritjes së një Reparti Kardiokirurgjik për fëmijët që kanë probleme shëndetësore në zemër.

Në fund të këtij takimi anëtarët e komisionit panë nga distanca hapësirën, trajtimin dhe kushtet ku janë të vendosura foshnjat.

Anëtarët e Komisionit po ashtu u pritën në takim edhe nga Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, z. Zef Ndrejaj me bashkëpunëtorë, dr. Naser Rafuna dhe dr. Afrim Veliu.

Z. Ndrejaj njoftoi anëtarët e Komisionit Parlamentar me vështirësitë në kushtet e punës të cilat i kanë, sepse, siç u tha, kjo klinikë është ndër klinikat më të  madha në regjion. 

Ai bëri të ditur se klinika është e përbërë prej 13 reparteve me gjithsej 285 persona staf mjekësor dhe ka 380 shtretër. Gjatë një viti në këtë klinikë kryhen përafërsisht mbi 9000 lindje, afër 5960 operacionesh të ndryshme, duke shtuar se më parë në klinikë ndodhnin 50-60 lindje.

Nga klinika njoftuan se pritet shumë shpejt edhe hapja e Repartit të IVF-së, që është një e arritur  e madhe për vendin tonë, sepse pacientëve që kanë nevojë do t’u mundësohet trajtimi në vend dhe nuk do të jetë kosto aq e lartë financiare.

Mikpritësit njoftuan deputetët se ka mungesë të stafit të mesëm, infermierëve dhe mamive dhe se kanë  kërkuar të punësohen 20 infermierë dhe shpresohet të realizohet kjo kërkesë.

Anëtarët e Komisionit u interesuan nëse ka dallim ndër vite sa i përket çështjes së natalitetit, për analizat që u rekomandohen pacientëve të bëjnë, aparaturat e nevojshme për trajtim dhe diagnostikim, kur pritet të funksionalizohet Reparti për IVF, për mungesën e anesteziologëve, si dhe shtruan pyetje të tjera që kanë të bëjnë me shëndetin e nënës dhe foshnjave. 

Në fund të kësaj vizite anëtarët e Komisionit shprehën gatishmërinë e bashkëpunimit dhe të ofrimit të  ndihmës institucionale, gjithnjë për përmirësimin e kushteve në klinikë.

Ata vizituan edhe disa reparte dhe repartin e IVF që pritet të jetë gati dhe të fillojë punën për disa muaj.